Tottenhami dëshiron të lidh Antonio Conten me një marrëveshje të re, por trajneri italian ende nuk ka dhënë përgjigje ofertës së tyre të fundit.
Trajneri 53-vjeçar italian mori detyrën në nëntor 2021 pas largimit të Nuno Espirito Santo dhe ka bërë mirë në Londrën Veriore, me mesatarisht 1.86 pikë për ndeshje.
Tottenham aktualisht ndodhet në vendin e katërt në renditjen e Ligës Premier dhe do të përballet me Milanin në raundin e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve në vitin e ri.
Siç raportohet nga Daily Mail, Tottenham së fundmi i ofroi Contes një kontratë të re, duke i propozuar një rritje prej mbi 1 milion funte në vit për ta bindur atë të nënshkruajë.
Ish-trajneri i Juventusit dhe Italisë i bëri të qartë klubit se ai nuk po nxiton për të nënshkruar marrëveshjen e re dhe përgjigja e tij e ka lënë klubin në ankth.
Conte ka vetëm rreth gjashtë muaj të mbetur nga kontrata e tij aktuale, e cila thuhet se përmban një opsion për një vit shtesë. Mësohet se trajneri po pret të shohë ambiciet e klubit në tregun e transferimeve të janarit përpara se të nënshkruajë.
Tifozët e Juventusit kanë ëndërruar për rikthimin e 53-vjeçarit nëse Massimiliano Allegri largohet nga klubi në fund të sezonit. /Telegrafi/