Telegrafi

Conte flet pas humbjes nga United: Nëse nuk do ta kishin CR7, ata nuk do të merrnin as barazim ndaj nesh

Ndeshje spektakolare është zhvilluar të shtunën mbrëma në Old Traford, ku Manchester United ka triumfuar 3-2 ndaj Tottenham Hotspur.

Djajtë e Kuq fituan falë një paraqitje fantastike të ikonës së tyre Cristiano Ronaldo i cili kompletoi het-trickun në këtë sfidë.

Por trajneri i Tottenham Hotspur, Antonio Conte ka folur pas ndeshjes duke thënë se pa portugezin, Manchester United nuk do të mund të merrnin as një barazim ndaj ekipit të tyre.

Conte e ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë Ronaldon, duke thënë se është futbollist që i vetëm i vendos ndeshjet.

“Po flasim për një futbollist që ka qenë gjithmonë vendimtar dhe protagonist në karrierën e tij. Pa CR7, United do e kishte të vështirë të merrte edhe barazimin përballë nesh. Ai e tregoi përsëri se çfarë lojtari është”, u shpreh fillimisht Conte.

Conte tutje deklaroi se nuk e kanë merituar humbjen në këtë sfidë, por ka pranuar se duhet të përmirësohen.

“Humbje e vështirë për t’u shpjeguar, nuk mendoj se e merituam të humbnim, por në të njëjtën kohë duhet të kuptojmë se ku duhet të përmirësohemi. Kemi nevojë për më shumë eksperiencë në situata të caktuara”.

“Në fushë jemi përmirësuar shumë, por përvoja është një gjë që nuk mund të blihet. Ne kemi shumë lojtarë të rinj në ekip, shpresoj që ata të mësojnë nga kjo disfatë”, u shpreh trajneri italian.

Manchester United aktualisht zë vendin e katërt në tabelë 50 pikë pas 29 ndeshjeve, derisa Spurs zënë vendin e shtatë me 45 pikë, por që kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara. /Telegrafi/