Stadiumi i qytetit të Shkupit “Telekom Arena” me 8 Gusht të këtij viti do të jetë nikoqir i finales së madhe të Superkupës së Evropës.
Emri i dy skuadrave finaliste pritet të mësohet me 3 qershor, ndërsa vetëm një javë më pas do të fillojë edhe shitja e biletave, për të cilat besojmë se një numër bukur i madh i futbolldashësve në vendin tonë janë të interesuar për të marrë një të tillë.
“Infosport.mk” mëson se çmimi i biletave për këtë finale do të sillet nga 15 deri në 40 euro, një shumë ndoshta e kapshme për ata tifoz të flaktë të futbollit të cilët shpresojnë se në Shkup do të kenë mundësinë të shohin skuadrat e tyre që deri më tani ndoshta i kanë ndjekur vetëm përmes TV-së.
Shkupi deri më tash ka patur mundësi të sheh emra të mëdhenj të futbollit që kanë luajtur me përfaqësueset e tyre në “Telekom Arena”, mirëpo definitivisht ndeshja e 8 gushtit do të jetë në një nivel më të lartë pasi në të do të përballen skuadra fituese e Ligës së Kampionëve dhe ajo e Liga Evropa, dy kompeticione këta që kanë arritur në fazën çerekfinale.
Është ende herët për të supozuar se cilat do të jenë ato dy skuadra, pasi në Ligën e Kampionëve për tu shpallur kampion pretendojnë Barcelona, Reali i Madridit, Atletico Madridi, Bayerni i Munichut, Borusia Dortmund, Juventusi, Leicesteri dhe Monaco, derisa për trofeun e Liga Evropa në garë janë skuadrat si Beshiktashi, Celta Vigo, Lyon, Schalke 04, Ajaxi, Anderlechti dhe Genku.