Sa herë nga goja e tij del fjala unazë, ekzaltohemi dhe imagjinata na çon vetëm diku: propozim për martesë! A e keni menduar ndonjëherë pse unaza është simboli më i rëndësishëm që lidhet me martesën?
Para se të merremi me këtë, na lini t’ju tregojmë se më herët, njerëzit kanë përdorur simbolika të tjera për martesën. Gjatë viteve 1800, amerikanët i dhuronin gishtëza që pas martesës priteshin dhe merrnin formën e një unaze.
Ndërsa një zakon anglez e përfshinte çiftin në një ritual të ndarjes së një pjese të artë dhe të argjendtë në dy pjesë të cilat i mban secili nga partnerët dhe më pas pinin një gotë verë për të formalizuar angazhimin.
Gjurmë të unazave të fejesës janë gjetur në Romën e shekullit të 13-të kur të krishterët përshtatën traditën pasi Papa Inoçenti III deklaroi se duhet të kishte një periudhë pritjeje të detyrueshme midis fejesës dhe martesës. Unazat e tyre ishin thjesht prej hekuri fillimisht dhe më pas u bënë prej ari.
Zakoni i vendosjes së unazës në gishtin e dorës së majtë mendohet se ka ardhur nga besimet greke dhe romake se një venë e veçantë, “Vena Amoris,” shkon direkt nga unaza në gisht drejt zemrës.
Diamantet ishin një shtesë që u bë më vonë. Maximiliani, djali i perandorit të Austrisë ishte mashkulli i parë që i dhuroi gruas së tij një unazë me shkëlqim në vitin 1477. Mirëpo unazat me shkëlqim nuk u bënë aq popullore për ata që s’ishin aristokratë, derisa u bë një marketing i madh nga kompania DeBeers në vitet 1930-të.
Asokohe, u tha se kjo kompani manipuloi si kërkesën ashtu edhe ofertën pasi u zbuluan diamantet në Afrikën e Jugut në fundin e shekullit të 19-të.
Më pas në fund të viteve 1940 u përhap shprehja e famshme: “Një diamant është përgjithmonë” si publicitet i kësaj marke. Fushata i inkurajonte konsumatorët që t’i shihnin unazat me diamante si sende të vyera në familje dhe ato nuk mund të rishiteshin (kjo do të siguronte edhe vlerën e tij në treg). Në fund të ditës, mbetej thjesht një strategji e paparë marketingu!
Është pak zhgënjyese të mendosh se i gjithë ky rrugëtim s’është veçse një BOOM i madh me qëllimin final tregtimin, por sidoqoftë, momenti i vendosjes së tyre, mbetet romantik.
Për sa kohë unazat na emocionojnë, do të vijojmë t’i trajtojmë si simbol të një premtimi dhe nisjes së një kapitulli të ri.
Burimi: Bustle