Site icon Telegrafi

Çka tha Doc dr.sc. Shoip Shoipi, Mjeku më i mirë për vitin 2024 në Kroaci?

Intervistë ekskluzive me Doc. dr. sc. Shoip Shoipii, dr. med, që jeton e vepron në Zagreb, doktori më i mirë i vitit 2024 në Zagreb

Intervistoi: PhD.Dashnim Hebibi

Dr. Shoipi, i lindur në fshatin Dobridol të rrethinës së Gostivarit, është kirurg specialist i urologjisë dhe subspecialist i urologjisë onkologjike. Ai është një shembull i shkëlqyeshëm i suksesit të diasporës sonë, duke na bërë krenarë të gjithëve. Profesionalizmi, humanizmi dhe përkushtimi i tij në Klinikën Universitare Urologjike në Zagreb janë dëshmi e vlerave dhe kontributit të lartë të diasporës sonë.

“Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të krijojnë kushte më të mira për rininë dhe mërgimtarët që ata të mund të kthehen në vendlindje dhe të jetojnë atje. Kjo do të ishte ndihma më e madhe që mund ti ofrohet mërgatës. Të krijohen mundësi për zhvillim profesional dhe personal, si dhe mundësia për të pasur një jetë më të mirë në vendet tona. Po ashtu, është shumë e rëndësishme që këto shtete të angazhohen për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të mirë për të rinjtë, në mënyrë që ata të mos detyrohen të largohen, por të gjejnë mundësi aty ku janë lindur. Diaspora shqiptare ka kontribuar pa hezitim për zhvillimin e vendlindjes dhe vazhdon ta bëjë këtë, pa pritur ndihma specifike nga shtetet tona”, na tha ndër të tjera z. Shoipi.

Përshëndetje i nderuar z. Shoipi. Ju falënderoj, fillimisht, për kohën që po ndani për këtë intervistë! I nderuar, urime për çmimin e ndarë për ju si doktori më i mirë për vitin 2024! E keni pritur këtë çmim?

Faleminderit shumë për urimet dhe për mundësinë për të qenë pjesë e kësaj interviste. Ky çmim është një nder i madh për mua dhe ndjehem shumë mirënjohës për vlerësimin që kam marrë. Nuk e kam pritur, por gjithmonë kam punuar me përkushtim dhe pasion për të ofruar kujdesin më të mirë për pacientët. Ky çmim është një reflektim i punës dhe përpjekjeve të mia, si dhe një motivim për të vazhduar me angazhimin tim në mjekësi. Ky është një nder që e ndaj me kolegët dhe ekipin tim, të cilët, gjithmonë, kanë qenë një mbështetje e madhe për mua.

Sa vjet i keni bërë në Zagreb?

Babai im ka punuar në Zagreb për shumë vite dhe unë kam pasur mundësinë qysh si i ri ta vizitoj dhe ta ndihmoj herë pas here. Rrjedh nga një familje zejtarësh nga Fshati Dobërdoll i Gostivarit, ku e kam kryer shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme të mjekësisë e kam kryer në Tetovë. Duke filluar nga vitet e mia të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë dhe deri më sot, Zagrebi është bërë shtëpia ime e dytë. Pas përfundimit të studimeve, kam pasur mundësinë të punoj dhe të specializohem në Klinikat Universitare të Zagrebit. Kjo periudhë ka qenë e pasur me eksperienca profesionale dhe ka ndikuar shumë në zhvillimin tim si mjek. Prej shumë vitesh, Zagrebi është bërë shtëpia ime profesionale dhe kam pasur kënaqësinë të kontribuoj në fushën e mjekësisë në këtë qytet.

Po afrohet viti i ri 2025. Cili është suksesi më i madh i arritur gjatë vitit që po e lëmë?

Suksesi më i madh që kam arritur gjatë vitit 2024 është zgjedhja ime si mjeku më i mirë i vitit, një çmim që jepet përmes propozimeve dhe vlerësimeve nga pacientët. Ky është një nder i jashtëzakonshëm për mua dhe një dëshmi e punës dhe përkushtimit tim ndaj pacientëve. Ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një vlerësim i punës së ekipit tim, i cili gjithmonë ka mbështetur dhe kontribuar në çdo hap të rrugëtimit tim profesional. Jam shumë mirënjohës për besimin dhe mbështetjen që pacientët kanë treguar ndaj meje dhe ky çmim më motivon të vazhdoj të jap më të mirën për shëndetin e tyre.

Ju kujtohet dita e parë kur iu drejtuat mërgimit?

Po, e mbaj mend shumë mirë ditën e parë kur iu drejtova mërgimit. Ishte një moment shumë emocional për mua, pasi ndodhesha mes dy botëve – asaj të vendlindjes dhe të mundësive që ofronte jeta jashtë. Disa herë më parë kam pasur mundësinë të vizitoj Zagrebin dhe të ndihmoj babanë tim, por ky moment ishte ndryshe, sepse nuk ishte thjesht një vizitë, por një vendim i rëndësishëm për të ndjekur studimet dhe karrierën time si mjek. E kam marrë këtë hap me shumë entuziazëm, por edhe me një ndjenjë përgjegjësie dhe dëshire për të arritur diçka më shumë. Mërgimi ishte një mundësi për të zhvilluar aftësitë e mia profesionale dhe për të kontribuar në një sistem shëndetësor më të avancuar, ndërkohë që gjithmonë kam mbajtur një lidhje të fortë me vendlindjen time.

Jeni aktiv edhe në polikë në Kroaci. Keni pasë konkurruar për deputet në Parlamentin e Kroacisë. Nëse do të fitonit, na thoni drejt, cila do të ishte detyra joua e parë që do ta bënit?

Kam pasur një angazhim të veçantë për komunitetin shqiptar në Kroaci. Pas shumë lutjeve dhe insistimeve nga diaspora shqiptare, pranova të kandidoja për deputet në Parlamentin e Kroacisë. Megjithatë edhe pse pata një përkrahje të madhe, nuk mjaftoi për të siguruar vendin e deputetit ne parlament. Nëse do të isha zgjedhur, detyra ime e parë do të kishte qenë angazhimi për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Kroaci dhe të komuniteteve të tjera që do të përfaqësoja.

Kroacia i njeh dhe i respekton të drejtat e shqiptarëve, ka mbështetur shumë projekte për shoqatat shqiptare dhe mundëson zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe në qytetet ku jetojnë shqiptarët. Një nga prioritetet e mia do të ishte kultivimi i kulturës dhe traditës shqiptare te rinia që jeton në Kroaci, duke i ndihmuar ata të integrohen në shoqërinë kroate pa u asimiluar. Do të punoja gjithashtu për të lehtësuar procesin e marrjes së shtetësisë dhe lejeve për punë dhe qëndrim për shqiptarët, si dhe për të ndihmuar lidhjet më të forta me atdheun për investimet në Maqedoni dhe Kosovë, por edhe për ata që dëshirojnë të investojnë në Kroaci. Për më tepër, do të mundësoja mundësi për studentët e rinj që të studiojnë në Kroaci, ku jetojnë mbi 15,000 shqiptarë, përfshirë rreth 7,000 nga Kosova dhe mbi 8,000 nga Maqedonia e Veriut.

Bashkëpunoni me komunitetin tonë në Kroaci?

Po, unë bashkëpunoj ngushtësisht me komunitetin shqiptar në Kroaci. Aktualisht, në Kroaci kemi mbi 15 shoqata kulturore dhe funksionon edhe Unioni i Shqiptarëve si organizata kryesore, e cila mbështet aktivitetet dhe zhvillimet kulturore. Po ashtu, në shumë qytete kemi hapësira në pronësi të shoqatave kulturore shqiptare dhe jemi shumë mirënjohës për mbështetjen dhe financimin që marrim nga institucionet e shtetit kroat për këto arritje dhe aktivitete. Profesioni im si mjek më ka mundësuar të jem gjithmonë në shërbim të komunitetit. Kam ndihmuar jo vetëm ata që kanë pasur nevojë për trajtim direkt, por edhe i kam orientuar te kolegët e mi, si shqiptarë, ashtu edhe kroatë, për t’u ofruar atyre ndihmën më të mirë të mundshme. Gjatë karrierës sime, kam mbajtur kontakte të ngushta me komunitetin shqiptar dhe kam pasur mundësinë t’i ndihmoj ata sa herë që është dashur. Kam vizituar të gjitha qytetet në Kroaci dhe takohem shpesh me bashkatdhetarët tanë. Ky angazhim dhe mundësia për të ndihmuar komunitetin më bën shumë të lumtur dhe të kënaqur.

Ku duhet të investoi shteti shqiptar apo i Kosovës më shumë për mërgatën tonë?

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të krijojnë kushte më të mira për rininë dhe mërgimtarët që ata të mund të kthehen në vendlindje dhe të jetojnë atje. Kjo do të ishte ndihma më e madhe që mund ti ofrohet mërgatës. Të krijohen mundësi për zhvillim profesional dhe personal, si dhe mundësia për të pasur një jetë më të mirë në vendet tona. Po ashtu, është shumë e rëndësishme që këto shtete të angazhohen për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të mirë për të rinjtë, në mënyrë që ata të mos detyrohen të largohen, por të gjejnë mundësi aty ku janë lindur. Diaspora shqiptare ka kontribuar pa hezitim për zhvillimin e vendlindjes dhe vazhdon ta bëjë këtë, pa pritur ndihma specifike nga shtetet tona. E megjithatë, është e natyrshme që ne, si mërgimtarë, të shqetësohemi kur shtetet tona përballen me probleme, pasi jemi gjithmonë të lidhur me to dhe shpresojmë që një ditë të mund të kthehemi dhe të kontribuojmë më shumë për zhvillimin e atdheut tonë.

E shihni shumë të politizuar diasporën tonë, sidomos atë të Kosovës, veçanërisht kur jemi në prag të zgjedhjeve?

Nuk e di saktësisht se çfarë nënkuptoni me termin ‘politizim’, por në demokraci është normale që individët të kenë preferenca dhe të mbështesin parti të ndryshme politike. Ne jetojmë në Kroaci, shtet me demokraci të stabilizuar, diversiteti i mendimeve dhe mbështetjeve politike është pjesë e natyrshme e jetës politike. Ky diversitet është një pasuri dhe përbën një aspekt të shëndetshëm të peizazhit demokratik.

Përkundrazi, ajo që është shqetësuese është kur ka konfrontime të mëdha mes partive politike që dëmtojnë institucionet e shtetit dhe tentojnë t’i nënshtrojnë ato, përfshirë institucionet e pavarura si pushtetin gjyqësor, organet hetuese, etj., duke i vendosur ato nën kontroll partiak. Kjo është diçka që ne nuk dëshirojmë ta shohim, pasi ka pasoja negative për të ardhmen e shtetit dhe të popullit.

Sa i përket diasporës, ne e ndjekim me shumë interes gjithçka që ndodh në vendet tona, sidomos në prag të zgjedhjeve. Falë teknologjisë moderne, jemi shumë të informuar dhe mund të ndjekim të gjitha mediumet shqiptare. Kjo na mundëson të kemi një pasqyrë të qartë për zhvillimet dhe ngjarjet në vendlindje dhe na ndihmon të jemi pjesë e proceseve politike, edhe pse jemi jashtë shtetit. Ne urojmë që zgjedhjet në Kosovë dhe të gjitha zgjedhjet që bëhen në vendet tona, të jenë të qeta dhe të respektojnë standardet evropiane, si kushti themelor për një shtet demokratik dhe një shoqëri që do t’i besojë organeve shtetërore.

Jeni i kënaqur me brezin e ri që po lind e po rritet në diasporë e konkretisht në Kroaci ku jetoni?

Po, jam i kënaqur me brezin e ri që po lind dhe po rritet si pjesë e diasporës dhe konkretisht në Kroaci, ku edhe jetoj. Kam vënë re se rinia shqiptare në Kroaci është shumë e motivuar dhe e angazhuar për të ndjekur arsimin dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre profesionale. Ata janë të lidhur me traditat dhe kulturën shqiptare, por gjithashtu janë të integruar në shoqërinë kroate, duke krijuar një harmonizim të shëndetshëm mes dy kulturave.

Më vjen shumë mirë të shoh që brezi i ri ka mundësitë për të pasur një jetë të mirë dhe të suksesshme, por gjithashtu është e rëndësishme që ata e ruajnë identitetin e tyre dhe e pasurojnë atë me vlerat e shoqërisë ku jetojnë. Kultura dhe traditat shqiptare janë një pasuri që duhet kultivuar dhe unë besoj se rinia shqiptare në Kroaci po bëhet një shembull i mirë i këtij integrimi dhe ruajtjeje të trashëgimisë kulturore.

Bashkëpunimi juaj me mjekët tjerë shqiptarë në Zagreb?

Bashkëpunimi im me mjekët shqiptarë është shumë i mirë. Në Kroaci ka shumë mjekë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, të cilët punojnë në spitale dhe institucione shëndetësore në shumë qytete të ndryshme. Kroacia ofron kushte të mira për mjekët dhe profesionistët shëndetësorë dhe kjo është arsyeja pse shumë shqiptarë kanë zgjedhur të punojnë këtu, duke përfituar edhe mundësinë për të marrë shtetësinë kroate.

Bashkëpunimi me kolegët shqiptarë është, gjithashtu, një mundësi për të shkëmbyer përvoja dhe njohuri dhe për të kontribuar në përmirësimin e fushës së mjekësisë në Kroaci. Kjo është një ndihmë e madhe për të gjithë komunitetin shqiptar, pasi ne mund të mbështesim njëri-tjetrin dhe të ofrojmë një kujdes shëndetësor të nivelit të lartë për ata që kanë nevojë.

Cila është puna juaj kryesore në spital?

Puna ime kryesore në spital është si specialist i urologjisë, ku merrem me diagnostikimin, trajtimin dhe menaxhimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundje të sistemit urinar dhe të organeve gjenitale. Përpos kësaj, angazhohem edhe në trajtimin e pacientëve me probleme onkologjike, duke ofruar trajtime për tumoret e ndryshme të sistemit urinar.

Si pjesë e ekipit mjekësor, punoj ngushtë me kolegët e mi për të siguruar që pacientët të marrin kujdesin më të mirë të mundshëm, duke përdorur teknika moderne dhe të avancuara. Puna ime është, gjithashtu, e lidhur me këshillimin dhe edukimin e pacientëve për shëndetin e tyre dhe për të siguruar që ata të kenë informacion të plotë dhe të saktë për trajtimet dhe procedurat që ndjekin.

Kur takoni pacientë shqiptarë, ju kanë thënë, ‘doktor po gëzohemi që po ju shohim’?

Po, ka shumë raste kur pacientët shqiptarë më thonë me entuziazëm ‘doktor, po gëzohemi që po ju shohim’. Kjo është një ndjenjë shumë e veçantë për mua, sepse ndihmon për të krijuar një lidhje më të ngushtë dhe më të besueshme mes meje dhe pacientëve. Për shumë shqiptarë që jetojnë jashtë, vizita te një mjek shqiptar ndihmon në ndjesinë e të qenit të kuptuar dhe të pranuar, veçanërisht kur jemi në një mjedis të huaj. Mua më bën shumë të lumtur që mund të ofroj kujdes mjekësor dhe mbështetje për komunitetin tim dhe gjithmonë përpiqem t’u ofroj pacientëve një shërbim sa më të mirë dhe të kujdesshëm.

Kishit dashur që edhe fëmijët tuaj të kenë profesionin e mjekut?

Kam dy fëmijë dhe jam shumë i lumtur që ata po ndjekin rrugën e arsimit të lartë. Djali im, Donarti, është në vitin e parë në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb, dhe kjo më bën shumë krenar, pasi ka zgjedhur të vazhdojë rrugën që unë kam ndjekur. Ndërsa vajza ime, Artina, studion në Fakultetin e Biokimisë, një fushë që, gjithashtu, ka shumë mundësi dhe është shumë e rëndësishme për avancimin e shëndetit dhe shkencës.

Edhe pse kam dashur që ata të ndjekin profesionin e mjekut, unë gjithashtu respektoj dhe mbështes çdo zgjedhje që ata bëjnë për të ndjekur pasionet e tyre. Mua më bën shumë të lumtur që ata janë të motivuar dhe të përkushtuar për të ndjekur karrierat e tyre dhe për të kontribuar në fushën e shkencës dhe shëndetit.

Sigurisht po e përcillni edhe gjendjen aktuale politikeedhe në Maqedoni te Veriut. Mendoni se na ka humbur uniteti?

Po, unë e ndjek me shumë vëmendje edhe gjendjen politike në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, me Marrëveshjen e Ohrit arritën të vendosnin bazat politike dhe juridike për të qenë të barabartë me maqedonasit dhe kjo ka sjellë shumë të arritura deri tani. Megjithatë, situata politike është e ngarkuar dhe pas zgjedhjeve të fundit në vitin 2024, kemi një garniturë të re qeveritare.

Problemi kryesor në Maqedoninë e Veriut është avancimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për të vazhduar bisedimet me BE-në, është e nevojshme të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe të përfshihen bullgarët në kushtetutë, një hap i domosdoshëm për të arritur progres në këtë drejtim.

Normalisht, opozita shqiptare mund të ketë kritika dhe ankesat e saj për mënyrën se si po zhvillohen gjërat dhe kjo është e natyrshme në një demokraci, ku ndryshimi i pushtetit dhe debatet janë pjesë e procesit. Megjithatë, duhet të mbajmë mend se, përkundër sfidave, janë bërë përparime të rëndësishme dhe është e rëndësishme të ruhet uniteti dhe bashkëpunimi për të arritur qëllimet e përbashkëta.

Sikur të ju jepej mundësia e mirë e të ktheheshit në atdhe, a do kishit pranuar?

Pavarësisht nga mundësitë që ofron jetesa dhe puna në një vend si Kroacia, atdheu mbetet gjithmonë një vend i veçantë për çdo individ. Të kthehesh në atdhe do të ishte një mundësi për të kontribuar më shumë dhe për të ndihmuar në zhvillimin e shëndetësisë dhe të shoqërisë në përgjithësi. Megjithatë, është e rëndësishme që ne vendlindje te krijohen kushte të mira për zhvillim personal dhe profesional që të mund të kthehemi dhe të kontribuojmë me energjitë tona. Kjo do të ishte një për të kontribuar në përmirësimin e kushteve dhe zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë në vendin tonë.

Doktor, cili është urimi juaj drejtuar bashkëkombësve tanë?

Dëshiroj të uroj të gjithë bashkëkombësit e mi kudo që janë, një vit të ri të mbushur me shëndet, gëzim dhe suksese! Shpresoj që ky vit i ri të sjellë mundësi të reja për zhvillim personal dhe profesional, dhe që të gjithë të kontribuojmë në forcimin e komunitetit tonë dhe të shoqërisë ku jetojmë. Le të ruajmë traditat dhe kulturën tonë, duke u integruar dhe kontribuar në mënyrë pozitive në shoqëritë që na kanë pritur. Uroj që të kemi një vit të begatë dhe paqësor, me më shumë unitet dhe harmoni mes nesh!

Faleminderit për mundësinë që më dhatë të ndaj mendimet dhe përvojat e mia! Shpresoj që intervista të ketë sjellë vlera për bashkëkombësit tanë. Faleminderit edhe një herë dhe suksese në punën tuaj! /helveticALforum.ch

Exit mobile version