‘Mittelschmerz’ është dhimbja në zverk dhe në pjesën e poshtme të barkut të cilat disa femra e përjetojnë gjatë kohës së ovulimit.
Ovulimi në përgjithësi ndodh mes periudhës së ciklave menstrual; andaj edhe është krijuar termi mittelschmerz, që vjen nga fjalët gjermane për “mes” dhe “dhimbje”, transmeton Telegrafi.
Dhimbja e ovulimit mund të jetë e lehtë, por edhe më e theksuar, dhe zakonisht zgjat nga disa minuta deri në orë të tëra.
Kryesisht shfaqet në njërën pjesë të abdomenit ose në zverk, por mund të ndryshojë secilin muaj, varësisht nga fakti se cila vezore është duke liruar vezë gjatë ciklit.
Çfarë e shkakton këtë dhimbje?
Kur zhvillohet një vezë në vezore, ajo rrethohet nga një lëng i caktuar. Gjatë ovulimit, veza dhe lëngu, e gjithashtu edhe pak gjak, lirohen nga vezorja.
Megjithëse shkaktari kryesor i dhimbjes nuk dihet saktë, besohet se lëngu apo gjaku mund ta irritojnë pjesën abdominale dhe rrjedhimisht shkaktohet dhimbja.
Dhimbja largohet menjëherë posa të lirohet veza ose kur trupi e absorbon lëngun apo gjakun. /Telegrafi/