Në këtë temë do të shtrohet çështja se cili nga futbollistët duhet ta ketë epitetin e lojtarit më të mirë të sezonit te Bianconerët?
Duhet theksuar se të gjithë lojtarët i kanë shërbyer maksimalisht Massimiliano Allegrit, ashtu që është vështirë të zgjidhet më i miri, pasi që janë disa prej tyre që janë sakrifikuar jashtëzakonisht shumë për skuadrën.
Sidoqoftë, janë zgjedhur tre kandidatë, të cilët konkurrojnë për epitetin e me të mirit te Zonja e Vjetër për sezonin 2014/2015.
Në fazën defensive është zgjedhur Leonardo Bonucci para Giorgio Chiellinit, falë paraqitjeve më të qëndrueshme në kampionatin italian dhe në Evropë.
Në mesfushë nuk ka si të mos përmendet emri i Paul Pogbas, i cili i ka çuar në këmbë të gjitha klubet e mëdha. Mirëpo, nuk duhet harruar angazhimin e Arturo Vidal, sidomos në Ligën e Kampionëve, në periudhën kur mungoi francezi.
Carlos Tevez është pa konkurrencë në fazën ofensive të bardhezinjve dhe sipas nesh, është pikërisht ai futbollisti që meriton të quhet më i miri te Zonja e Vjetër. 31-vjeçari nuk ka shënuar vetëm gola, por ai është angazhuar në secilën pjesë të fushës për të ndihmuar bashkëlojtarët.
Ju mbetet juve të vlerësoni se cili ishte futbollisti më i mirë në sezonin mahnitës të Juventusit?
/Telegrafi/