Kandidati për deputet nga AAK-ja, Gazmend Abrashi, ka treguar planin e AAK-së dhe koalicionit PAN lidhur me Termocentralin “Kosova e Re”.
“Termocentrali ‘Kosova e Re’… Të gjitha Qeveritë kanë pasur tentim që të implementojnë këtë termocentral. Është viti i 10-të që janë marrë me fuqinë. Në vitin 2011 dhe 2012 kur kemi pasur dy kompanitë më të mëdha që kanë aplikuar për ndërtimin e termocentralit, për shkak të klimës jo të përshtatshme dhe mos idesë, ky projekt ka dështuar. Tani jemi në situatën kur kemi vetëm një ofertues, ‘Counter Global’, e cila nuk është kompani që merret me energji po me financa. Kompania që nuk ka sfond që ka investime kapitale në energji, parashihet që të investojë 300 milionë kapital të vetin”, ka thënë Abrashi në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës.
Duke shpalosur programin ekonomik të koalicionit PDK- AAK-NISMA, ka folur edhe për gjigantin metalurgjik, Trepça.
“Trepça është në gjendje të mjerueshme dhe është pak për t’u përqeshur tregimi i Qeverisë kur thotë që ata kanë shpëtuar kombinatin nga bankroti, derisa askush nuk flet si ka ardhur deri tek bankrotimi”, ka shtuar ai.