Në ditëlindjen e saj të 80-të, Nexhmie Pagarusha, nuk lë përshtypje ta ketë rrëmbyer nostalgjia, derisa risjell në kujtesë një jetë, tashmë të ikur, artistike, me shumë përjetime të furishme…
Shkruan: Shaqir Foniqi
Për të do të thuhen fjalë të mëdha, por kësaj radhe po veçojmë vetëm vlerësimin e sopranos së njohur Juliet Greco, e cila thotë: “Nexhmije Pagarusha ka një zë të jashtëzakonshëm: i ngrohtë, i ndjeshëm, i dridhshëm. Te asnjë këngëtare nuk kam hasur cilësitë që ka Nexhmija. Mundësitë e saj janë të pakufishme. Ajo është një artiste e madhe dhe talente e rrallë. Nexhmijen nuk do ta krahasoja me asnjë këngëtare, sepse mendoj, do ta fyeja. Ajo është unike. Me dëshirën më të madhe do të vihesha në kontakt me të. Do të isha shumë e lumtur sikur të përkthehej dhe të adaptohej në gjuhën shqipe diçka nga repertori im dhe ta interpretonte Nexhmija”.
Ky konstatim dhe vlerësim, duket se është një kurorë e artë e të gjitha konstatimeve për Nexhmijen, primadonën e këngës së bukur shqipe.
Incizimin e këngës së parë në radio, Nexhmija e bën në moshën 16 vjeçe, me ardhjen e familjes nga Prizreni në Prishtinë (1947). Zërin e saj nuk e shkolloi, as e kultivoi, ai rrodhi si uji i kulluar i kroit, dhuratë hyjnie, ndonëse shkon në Beograd për këtë qëllim, por nuk mund ta gjejë veten në atë mënyrën e solokëndimit që po e kërkonte profesori i saj dhe kthehet. Vazhdon incizimet në Radio Prishtinë, nis një rrugë të gjatë, por jo të lehtë për kohën, rrethanat, mentalitetin e atëhershëm…
Ndërprerja definitive e zërit, ndodhi në Sarajevë, në Lojërat Dimërore Olimpike 1984. Ishte kjo përshëndetja e saj e fundit me skenën, me këngën, me zërin.
Ajo, tashti që e ka lënë këngën, i është kushtuar humanizmit, prandaj e shohim nëpër koncerte humanitare, kurse këngët e saj janë një mesazh i fortë për të gjithë ato femra, të cilat dëshirojnë ta ndjekin rrugën e saj.
Kushdo që ka rastin dhe nderin të pi kafe me të, e sheh madhështinë saj, shpirtin e madh, artin e pakufishëm dhe zemrën e pastër e shumë fisnike. “Ku ke humbë”, është fjala më e shpeshtë e saj për miqtë dhe adhuruesit e shumtë.
‘Baresha’ e Pagarushes, sakaq do të bëhet Primadonë e skenës sonë dhe një emër që nderon kulturën tonë. Zonja me borzilok, Nexhmije Pagarusha, tashmë i takon epokës dhe qëmoti ka hyrë në aorealin e vlerave kombëtare.
Ambasadorja e këngës shqipe, ka kënduar shumë këngë dhe, mund të thuhet, secilën me bukur se tjetra. Kënga “Çou, more Rexho…” është një antologji për dhembjen dhe qëndresën, për dashurinë dhe flijimin, pastaj radhiten këngët për Bareshën dhe bukurinë e saj, ‘Dashnor tu bana’, ku me aq afsh e krenari i këndon rinisë dhe bukurisë së saj, ‘Një lule’, ‘Po vijnë krushqit’, "Vetë ke mbetur" , ‘Kur një ditë të kthehesh ti’ e shumë këngë të tjera, të cilat qëndrojnë mbi supet e shekujve.
Teksa takohemi në lokalet e Radio Kosovës, ajo menjëherë rrethohet nga miqtë dhe adhuruesit e saj, kurse saherë që kalon nëpër qytet, njerëzit shfaqin për të një respekt të pakufishëm. Nuk lë përshtypje ta ketë rrëmbyer nostalgjia, derisa risjell në kujtesë një jetë, tashmë të ikur, artistike, me shumë përjetime të furishme.
Timbret e evergrinëve të dikurshëm, përzgjedhje e Nexhmijes, mbushin hapësirën tek bisedohet: të pastra si loti, incizime pa të meta, si të jenë bërë në teknikën më të përkryer, ndonëse dhjetëvjetësha më parë!
Kujtimet, megjithatë, janë ato që plotësojnë personalitetin e njeriut… /Telegrafi/