Shiu i dendur dhe erërat e forta kanë goditur pjesë të Indisë lindore, ndërsa një stuhi tropikale goditi zonat bregdetare dhe ekipet e shpëtimit u përgatitën për ndikimin e saj.
Sipas Qendrës së Përbashkët të Paralajmërimit të Tajfunit (JTWC), cikloni tropikal Dana mbërriti në tokë përgjatë bregut verior të shtetit Odisha si ekuivalent i një stuhie tropikale në pellgun e Atlantikut me erëra prej 110 km/h.
Bëhet e ditur se Dana u përcoll nga reshje midis 50-150 milimetra në të gjithë Odishan dhe shtetin e Bengalit Perëndimor, me totalin më të lartë prej 160 mm të raportuar në qytetin Chandbali.
Përpara rënies në tokë, autoritetet evakuuan qindra mijëra njerëz, mbyllën shkollat dhe anuluan fluturimet në disa pjesë të vendit, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, Departamenti Meteorologjik i Indisë (India MET) lëshoi paralajmërimin për reshjet më të larta për pjesë të Odishas dhe Bengalit Perëndimor.
Autoritetet planifikonin të evakuonin më shumë se 1 milion njerëz nga 14 rrethe.
Ndryshe, brigjet lindore të Indisë kanë qenë prej kohësh të prirura ndaj cikloneve, por numri i stuhive intensive po rritet përgjatë bregdetit të vendit.
Viti i kaluar ishte sezoni më vdekjeprurës i cikloneve në Indi në vitet e fundit, duke vrarë 523 njerëz dhe duke kushtuar rreth 2.5 miliardë dollarë dëme. /Telegrafi/