Oso Gjinovci në komunitetin e futsallit njihet me nofkën ‘Bomberi’, ndërsa tash e disa vjet është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në futsall.
Djaloshi prishtinas bën dy punë, pasi që mbetet shumë e vështirë të mbijetosh nga një sport, siç është futsalli.
Ai është ciceron në shpellën më të njohur në Kosovë, atë të Gadimes.
Oso fillimisht flet për punën që e kryen ditën dhe i njofton vizitorët me bukuritë e kësaj shpelle.
“Shkoj në punë në Gadime nga ora 08:00 deri në ora 16:00. Ka shumë vizitorë nga e gjithë bota në Shpellën e Gadimes”.
“Vizitorëve ua shpjegoj bukuritë e këtij margaritari të çmueshëm. Për histori, kristalet dhe gjeologji, e gjithçka tjetër çfarë ka brenda në shpellë”, thotë Gjinovci për Telegrafin.
Oso përveç gjuhës shqipe, i flet rrjedhshëm edhe gjuhën angleze dhe serbe, ndërsa njihet për harmoninë e tij gjatë shpjegimit në shpellë.
Pasdita për të ka të bëjë vetëm me futboll. Oso njihet si sulmues shumë i rrezikshëm para portës, ndërsa vetëm në kampionatin e fundit ka arritur të shënojë 33 gola.
“E dua futsallin dhe luaj me pasion. Për mua nuk është shumë e vështirë edhe të punoj edhe të luaj. Kjo punë do vullnet dhe unë e kam. I pres me padurim oraret kur kam stërvitje”
Ai së fundmi ka qenë pjesë e Prishtinës, ndërsa aktualisht është pa kontratë dhe në bisedime me disa skuadra.
“Ofertat më kanë vërshuar, pasi që kam kaluar formë të jashtëzakonshme dhe kam shënuar gola pafund. E tëra çfarë mund t’ju them është, bëhuni gati për sezonin e ri”.
Oso Gjinovci është edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në futsall, që drejtohet nga Ramadan Cimili.
“Të jesh pjesë e Kosovë është nder. Ftesat nga Kosova i pres me padurim dhe me dëshirë të madhe shkoj. Për një sportist, ti mbrosh ngjyrat e shtetit është kulmi”, ka thënë Gjinovci për Telegrafin.
Gjinovci që ka luajtur për Besën dhe Prishtinën, mund të përfundojë në një skuadër tjetër gjatë afatit kalimtar./Telegrafi/