Italia është eliminuar nga çdo mundësi për kualifikim në kampionatin botëror, Rusia 2018, pasi ka barazuar pa gola në San Siro ndaj Suedisë. Italianët mbeten pa Botëror me rezultat të përgjithshëm 0-1 pas dy ndeshjeve në të mirë të suedezëve.
San Siro ishte stërmbushur me rreth 85 mijë shikues në Milano, për të përkrahur kombëtaren Azzure.
Ishte Giacomo Ventura ai që vendosi të hynte në këtë ndeshje me formacion me tri mbrojtës, duke lënë në stol lojtarë si Insigne, Eder dhe Bernardeschi, për t’i besuar Immobiles dhe Gabbiadinit.
Këto zgjedhje u treguan kontroverse, pasi që Italia nuk gjeti golin.
Raste të shumta të italianëve nuk u konkretizuan, ku shumë herë Azzurëve u mungoi edhe fati.
Në pjesën e dytë intensiteti i sulmeve u shtua, e ishte Candreva ai që udhëhoqi sulmet, por shpesh krosimet e tij nuk gjetën cakun, me suedezët që ishin stoik në mbrojtje falë dominimit në ajër dhe lojës fizike.
Deri në fund të takimit u inkuadruan edhe El Shaarawy, Bernardeschi dhe Belotti, të cilët u përpoqën mjaft shumë që të shtyjnë lojën përpara.
Sidoqoftë, ishte El Shaarawy ai që pati rastin më të mirë, kur pas një goditje të tij ishte portieri suedez ai që u shfaq në nivel të lartë për të parandaluar vazhdimin e sfidës.
Deri në fund Italia pati edhe dy rivënie këndore, por edhe me inkuadrimin e Buffonit në zonë nuk pati gol për vendasit.
Kjo është hera e parë pas vitit 1958 që Italia nuk do të luaj në një Kampionat Botëror.
Ky lajm do të zhgënjejë legjenda si Gianluigi Buffon dhe Daniele De Rossi që me mish e shpirt luftuan dhe bënë përpjekje që karrierën e tyre me kombëtaren të mbyllin në Botëror.
Tash, Italia duhet të nisë ndërrimin e gjeneratës, duke u dhënë përparësi lojtarëve të rinj, por natyrisht se gjëja e parë që duhet të ndodhë është largimi i trajnerit, Giacomo Ventura. /Telegrafi/