Telegrafi

Christian Eriksen, ringjallja që ka mahnitur botën e futbollit

Christian Eriksen është një mrekulli në futboll, pasi historia e tij është një përrallë, dhe ajo thjesht po bëhet më e mirë çdo javë që kalon.

Kapitulli i fundit erdhi të shtunën me një paraqitje të mrekullueshme, duke e udhëhequr Brentford në një fitore historike 4-1 ndaj Chelsea në “Stamford Bridge”.

Ishte trajneri Thomas Frank që insistoi për marrjen e mesfushorit danez në janar dhe kjo po del një lëvizje e qëlluar.

Eriksen ishte një lojtar i lirë pasi iu desh të largohej nga Interi për shkak të rregullit në Serie A, që shkruan se një lojtar nuk mund të luajë me defibrilator.

Eriksen u pajis me IDC vetëm disa ditë pasi pësoi atak në zemër në ndeshjen e Danimarkës në Euro 2020 kundër Finlandës qershorin e kaluar.

Megjithatë, Brentford i ofroi 30-vjeçarit një mënyrë për t’u rikthyer në futbollin elitar në fillim të vitit 2022 dhe ai ua ka shpaguar besimin e tyre me stil.

Një muaj ëndrrash

Eriksen bëri debutimin e tij në Brentford më 26 shkurt si zëvendësues në një humbje 2-0 në shtëpi ndaj Neëcastle United, por që atëherë ai ka qenë katalizatori në ringjalljen e ‘Bletëve’.

Ai ka kthyer formën e tij më të mirë si në nivel klubesh ashtu edhe me kombëtaren, duke shënuar në tre ndeshjet e tij të fundit radhazi, kundër Holandës dhe Serbisë përpara se të shënonte edhe për skuadrën e tij kundër Chelseat.

E ardhmja në ajër

Eriksen ka nënshkruar me Brentford deri në fund të sezonit, dhe Thomas Frank ka përsëritur në raste të ndryshme dëshirën e tij për ta mbajtur danezin edhe në sezonin e ardhshëm.

Sidoqoftë, sezoni 2022/23 mund ta shohë Eriksenin të kthehet në nivelin më të lartë të futbollit evropian, nëse ai vazhdon me formën e tij të jashtëzakonshme.

Pavarësisht pasigurisë për të ardhmen e tij, një gjë është e sigurt: Eriksen është kthyer. /Telegrafi/