Telegrafi

Çfarë pasojash e presin kompaninë që shkaktoi kaosin teknologjik në mbarë botën?

Firma amerikane e sigurisë kibernetike, CrowdStrike u bë një emër i njohur gjatë ditës së premte pasi një përditësim i gabuar i softuerit shkaktoi “kërdi” në mbarë botën dhe “kaosi i CrowdStrike” mund të nxisë një rimendim midis investitorëve dhe blerësve, thanë analistët.

Ndër pasojat, ata theksojnë se aksionet e kompanisë ranë me më shumë se 11 për qind të premten, pas një gabimi teknologjik që ndërpreu punën në disa industri në botë – nga mbyllja e shërbimeve publike, ndalimi i fluturimeve deri tek pamundësia për të transmetuar programe mediatike dhe të tjerët.

CrowdStrike thuhet se ka arritur më parë një kapital prej rreth 83 miliardë dollarësh dhe është ndër ofruesit më të njohur të shërbimeve të sigurisë kibernetike në botë, me afër 30 mijë abonentë në mbarë botën. Kompania është gjithashtu e dashur ndër investitorët për shkak të rritjes dhe fitimeve të larta, dhe stoku i saj u dyfishua në vitin e kaluar përpara se të binte të premten.

Lexo po ashtu Kolapsi botëror në internet - çfarë pune kryen në rrafshin global firma CrowdStrike?

Por, analistët besojnë se ndërprerja e shumë sistemeve për shkak të gabimit (të tyre) teknologjik mund t’i detyrojë klientët dhe investitorët të rishqyrtojnë varësinë e tyre nga kompania, duke hapur derën për konkurrentët e mundshëm si Palo Alto Networks, aksionet e të cilit u rritën 1.7 për qind të premten si dhe SentinelOne, i cili u hodh me 3.6 për qind, shkruajnë mediat e huaja.

“Kjo ngjarje është një kujtesë se sa komplekse dhe të ndërthurura janë sistemet tona globale kompjuterike dhe sa të cenueshme janë ato ndaj gabimeve”, komentoi një analist i lartë softuerësh në D.A. Davidson Gil Luria.

“Ndërsa shumica e kompanive nuk kanë vërtet një alternativë ndaj Microsoftit, ato kanë alternativa sigurie. Kjo mund të detyrojë shumë kompani të rimendojnë se çfarë produkti sigurie përdorin dhe nëse duhet të diversifikojnë produkte të ndryshme sigurie për të parandaluar këto lloje ndërprerjesh”, shtoi Luria.

Lexo po ashtu Si një përditësim i vetëm shkaktoi ndërprerje globale të internetit?

Zyrtarët e sigurisë në kompani të ndryshme shprehën pakënaqësi me CrowdStrike, por nuk zbuluan planet për t’i dhënë fund punës së tyre me shitësin, ndërsa analistët thanë se ndërsa ngjarjet e së premtes ishin të dëmshme për CrowdStrike, ata nuk parashikonin që konkurrentët të merrnin shumë pjesë të tregut si rezultat i incidentit.

Drejtori i Përgjithshëm i CrowdStrike, George Kurtz, deklaroi se ngjarja nuk ishte një incident sigurie apo sulm kibernetik dhe se “tashmë janë marrë masat e para”. Më vonë ai kërkoi falje për ndikimin që kishte shkaktuar kompania.

“Ndodhin problemet dhe ndërprerjet, por ne mendojmë se qëndrimi i zellshëm dhe përgjigja efektive e CrowdStrike do të jenë të dobishme”, thanë analistët e JP Morgan. /Telegrafi/