Site icon Telegrafi

Çfarë pas tarifës 100 për qind?

Fisnik Elshani

Pas vendosjes së tarifës 100 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, siç duket ka filluar dhe patriotizmi ekonomik nga ana e qytetarëve, për t’i përkrahur produktet vendore.

Pas 10 vjet pavarësi, në politikat ekonomike kjo është njëra nga vendimet më të rëndësishme. Mirëpo, çfarë do të ndodh në muajt në vijim pas tërheqjes së kësaj tarife, që mund të jetë si rezultat i presioneve të miqëve tonë ndërkombëtar?

Lidhur me këtë, lind dilema se, a kemi ndërtuar ne si shtet strategji që t’i mbrojmë prodhuesit tonë vendor dhe qytetarët tonë t’i riorientojmë sa më shumë për konsumin e prodhimit vendor?

Për këtë çështje, institucionet tona duhet ta përkrahin prodhuesin vendor, duke i promovuar sa më shumë ata në panaire vendore dhe ndërkombëtare, e veçanërisht duke iu dhënë më shumë hapësirë atyre që t’i reklamojnë produktet e tyre, në rend të parë, në marketet vendore, në mënyrë që konsumatori ta ketë prioritet produktin vendor.

Ndalimi i kontrabandës është një sfidë tjetër që produktet vendore duhet ta kenë në përkrahje. Kontrollat e vazhdueshëm për cilësinë e mallarave do të rrit vetëdijën për konsum të produkteve vendore.

Njëra nga përkrahjet më esenciale do të ishte edhe zbritja e tatimit për produktet vendore, ku ndryshimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për këto produkte do t’i bënte më konkurrente karshi produkteve të importuara.

Për çdo produkt vendor duhet të ketë përgjysmim të tatimit, ku blerësi i fundit ta blejë për 50 për qind më lirë, pra Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të mos jetë 18 për qind sa që është aktualisht, por të zbritet në 9 për qind.

Në produktet esenciale, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar duhet të jetë 4 për qind, për arsye se një zbritje e tillë do ta fuqizojë prodhuesin vendor dhe rritë fuqinë blerëse nga ana e konsumatorit për këto produkte.

Në fund, pas marrjes së këtyre masave, prodhuesi vendor do të fuqizohet, duke e rritur dhe fuqinë punëtore, gjithashtu dhe konsumatori do ta ketë në prioritet produktin vendor. Mbi të gjitha, me rritjen e prodhimit vendor, do të përmbyset dhe hendeku ndërmjet importir dhe eksportit, për të cilën deri më tani Kosova ka bilanc negativ tregtar.

Exit mobile version