Karantina ka qenë një bekim dhe një mallkim për shumë çifte. Shtrohet pyetja: çfarë ndodh në trurin tënde nëse je me partnerin në shtëpi, 24/7, nga e hëna në të diel? Dhe çfarë efekti ka e gjithë kjo situatë në kiminë e çiftit dhe ndryshimet e mundshme në mirëqenien tuaj të përgjithshme?!
Dr. Helen Fisher, një studiuese e sjelljes njerëzore, njëherësh një studiuese e vjetër e kërkimit shkencor në Institutin Kinsey, pasi ka kaluar më shumë se 40 vite të jetës së saj duke studiuar dashurinë romantike dhe evolucionin e marrëdhënieve, ka vëzhguar këtë periudhë edhe faktin se çfarë i bën dashuria trurit dhe si karantina ka qenë një sfidë e paparë për çiftet.
Meqenëse nuk është saktësisht e natyrshme të jetosh, të punosh, të hash, të flesh dhe madje edhe të stërvitesh në të njëjtën hapësirë me partnerin, Fisher beson se karantina paraqet një situatë jo fort normale për çiftet.
Mënyra se si truri juaj reagon nën rrethana të ndryshme, në masë të madhe varet nga shëndeti dhe cilësia e marrëdhënies tuaj, diçka që me siguri është evidentuar edhe më shumë në karantinë.
“Nëse jeni në një partneritet shumë të lumtur, duke kaluar më shumë kohë me njeriun e zemrës, kjo do të nxisë sistemin e dopaminës, duke ju dhënë optimizëm, energji dhe motivim, forcimin e sistemit imunitar dhe rritjen e pragut të dhimbjes”, thotë Fisher.
Disa nga këto kimikate të trurit që ndjehen mirë janë në të vërtetë nën kontrollin tuaj. Sipas Fisher, prekja fizike mund të luajë një rol të rëndësishëm në reagimin e trurit tuaj gjatë karantinës. Mos e nënvlerësoni fuqinë e një përqafimi të thjeshtë ose të një puthjeje, këto akte mund të shkaktojnë një lëshim të oksitocinës, e cila rezulton në një lidhje më të thellë me partnerin tuaj.
Një raport i Shkollës Mjekësore të Harvardit vë në dukje se oksitocina është përgjegjëse për ndjenjat e qetësisë dhe sigurisë, të cilat ndoshta janë shumë të nevojshme gjatë një krize globale.
Nga ana tjetër, ajo që ndodh në trurin tuaj gjatë karantinës nëse marrëdhënia juaj është jo fort e qëndrueshme është krejt ndryshe nga ajo që ndodh në një raport të lumtur dhe të qetë.
“Nëse jeni i/e bllokuar në një partneritet që nuk funksionon, kjo është shumë stresuese dhe stresi kronik zvogëlon sistemin e dopaminës dhe mund t’ju bëjë të ndjeheni letargjikë dhe në depresion”, shpjegon Fisher.
Nëse, ju irritoheni kur kaloni vazhdimisht kohë së bashku, kjo mund të shkaktojë një përgjigje stresi në tru, çka çon në aktivizimin e sistemit nervor simpatik dhe pompimin e adrenalinës në qarkullimin e gjakut, shkruan Class.
Dikush mund të supozojë se karantina është një vrasës i dopaminës, por në fakt, Fisher shpjegon se është duke motivuar shumë njerëz që t’i lëvizin gjërat. Çiftet duhet të përqafojnë hobi të reja, duhet të provojnë receta të reja në kuzhinë, të kenë fantazi në shtrat, etj.
Të bërit e diçkaje të re nxit dopaminën, hormonin aq shumë të kërkuar të dashurisë romantike dhe ju befas futeni në një fazë të “muajit të mjaltit” dhe aspak të një karantinimi ose izolimi të padëshiruar.
Ndaj, shumë kujdes! /Telegrafi/