Site icon Telegrafi

Çfarë mësuam nga ndeshja Shqipëri-Armeni

Në këtë fitore kanë spikatur disa lojtarë, kurse koha.net ju sjell disa nga gjërat që kemi mundur të mësojmë nga kjo lojë.

De Biasi startoi ndeshjen me 11-she të gabuar

Trajneri italian padyshim se me mentalitetin dhe grupin e lojtarëve që ka sjellë në Kombëtare, është ndër më meritorët për formën aktuale të Kombëtares.

Gjithsesi, mënyra se si ai iu qas fillimisht ndeshjes ndaj Armenisë ishte e gabueshme.

Kjo u vërtetua me pranimin e shpejtë të golit dhe me një lojë më të zbehtë të Kombëtares në pjesën e parë.

Me ndryshimin e formacionit në pjesën e dytë dhe me inkuadrimin e lojtarëve më sulmues, ndryshoi e gjithë loja e Shqipërisë, duke e bërë shumë herë më të rrezikshme dhe atraktive lojën e Kombëtares.

Gashi duhet të jetë startues për Shqipërinë

Lojtari i Baselit, Shkëlzen Gashi e ka vërtetuar edhe njëherë se është në top-formë.

Jo më kot ai është edhe top-golashënues në Superligën Zvicerane.

Sulmuesi nga Kosova u inkuadrua në ndeshje nga banka rezervë, duke e ndryshuar menjëherë rrjedhën e lojës.

Paraqitja e tij në pjesën e dytë dëshmoi se ai meriton vendin e titullarit në Kombëtaren Shqiptare.

Mavraj vërtetoi se është jetik për Kombëtaren

Bëri shumë pak stërvitje. Ishte në dyshim deri në momentet e fundit. Por, ai vendosi që të sakrifikohet për Kombëtaren.

Dhe në fund, mundi i tij u shpagua.

Mavraj u tregua shumë solid në mbrojtje dhe shënoi golin e kthesës për Kombëtaren, duke luajtur sikur të kishte stërvitur pandërprerë për këtë ndeshje.

Padyshim, një lojtar shumë i rëndësishëm për Kombëtaren Kuq e Zi.

Shqipëria, e denjë për Euro 2016

Paraqitjet e Shqipërisë në këtë fazë eliminatore, duke përfshirë dhe miqësoret, dëshmojnë se Kombëtarja është pjekur jashtëzakonisht shumë dhe ka fituar siguri të pabesueshme nën udhëheqjen e De Biasit.

Dikur quhej “eufori”, por tanimë ky term nuk duket se qëndron për Shqipërinë.

Paraqitjet solide ndaj secilit kundërshtar që e ballafaqoi në këtë edicion dëshmojnë se Shqipëria është më e gatshme se kurrë për një garë të madhe, siç është Evropiani i ardhshëm. /koha.net/

Exit mobile version