Site icon Telegrafi

Çfarë fshihet në “bunarin e ferrit”? Hulumtuesit futen në kraterin misterioz në Oman, nga i cili dalin aroma të pakëndshme dhe fliten histori të ndryshme  

Një ekip i hulumtuesve nga Omani janë të parët që arritën në fundin e bunarit famëkeq të Jemenit – Barhut, për të cilin banorët lokalë besojnë se në fakt është burgu i fantazmave.

“Bunari i ferrit”, gropa e të cilit është 30 metra e gjerë – gjendet në shkretëtirë në lindje të provincës Al Mahra, ku nëpër të lëshohen me litar në një thellësi prej 112 metra – e disa thonë se atje ka aroma të çuditshme, transmeton Telegrafi.

Në këtë gropë është futur ekipi për hulumtimin e shpellave nga Omani (OCET), të cilët gjetën gjarpërinj, kafshë të ngordhura dhe “stoli shpelle”, por as edhe një gjurmë të fantazmave apo krijesa të ndryshme.

“Ka pasur gjarpinj, por ata nuk ju prekin nëse edhe ju nuk i prekni”, ka thënë për France Press, Mohammad al Kindi, profesor i gjeologjisë në Institutin Gjerman të Teknologjisë në Oman.

Siç raporton BBC, Kindi është një prej hulumtuesve më me përvojë që u fut në bunar javën e kaluar.

“Frika na solli në këtë pikë, dhe besojmë se është diçka që do të zbulojë ndonjë të re në historinë e Jemenit. Kemi marrë mostra të ujit, gurëve, dheut dhe kafshëve të ngordhura, por akoma nuk i kemi analizuar”, ka thënë Kindi – duke shtuar se raporti për këtë akoma nuk është publikuar.

Megjithatë ai theksoi se ekipi i tij ka gjetur edhe zogj të ngordhur në fund të gropës, por që sipas tij nuk ka kundërmuar kurrfarë ere e keqe.

Zyrtarët e Jemenit kanë thënë për AFP, se nuk e dinë se çfarë gjendet në fund të gropës që e vlerësojnë se është “miliona vite e vjetër” dhe që kurrë nuk e kanë hulumtuar.

“Kemi vizituar zonën dhe jemi futur në bunar, në thellësi prej 50-60 metra. Kemi vërejtur gjëra të çuditshme brenda vinte një erë e çuditshme… situata është misterioze”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i këshillit të Gjeologjisë së Mahres, Salah Babhair.

Për shekuj është folur për këtë bunar, dhe për xhindet që jetojnë aty dhe që konsiderohet si dera e ferrit. Banorët lokalë nuk e vizitojnë bunarin, e as që u pëlqen të flasin për të – nga frika se mund t’i gjej ndonjë fatkeqësi.

Jemeni edhe ashtu ka mjaft probleme. Në këtë vend në vitin 2014 shpërtheu lufta qytetare që sipas Kombeve të Bashkuara, shkaktoi krizën më të madhe humanitare në botë. Dy të tretat e 30 milionë banorë të këtij vendi varen nga ndihmat humanitare. /Telegrafi/

Exit mobile version