Ass.dr.Atifete Ramosaj-Morina
Instituti i Anatomisë-Fakulteti i Mjekësisë
Klinika e Pediatrisë – QKUK
Sëmundja e Celiakisë apo Enteropatia glutenike e njohur në popull dhe si mostoleranca në miell është një sëmundje autoimune e nxitur nga gluteni (përbërës i grurit, thekrës, elbit) që paraqitet tek personat gjenetikisht të predispozuar për këtë sëmundje dhe karakterizohet nga një numër i madh manifestimesh klinike.
Studime të shumta raportojnë rritje të ndjeshme në përhapjen e sëmundjes në dy dekadat e fundit me një shpeshtësi prej 1 në 100 njerëz në mbarë botën. Më së shpeshti paraqitet në Evropë (në Britani të Madhe dhe Evropën veriore), pastaj në Amerikën Veriore dhe Australi. Më rrallë paraqitet tek japonezët, kinezët dhe zezakët.
Epidemiologjia e sëmundjes së Celiakise është përshkruar si një model ajsbergut, rastet tipike me Celiaki të diagnostikuar zakonisht për shkak të ankesave sugjestive, përbëjnë pjesën e dukshme te ajsbergut, që përbën vetëm 1/5 e rasteve, ndërsa pjesa tjetër mbeten të pa diagnostikuar.
Sëmundja shoqërohet shpesh dhe me sëmundje të tjera autoimmune si Diabeti mellit, Sindromi Downn, tiroiditi autoimun etj. Kurse sëmundja është shumë e shpeshtë tek anëtarët e të njëjtës familje me një shpeshtësi prej 5-10%.
Si dhe kur paraqitet sëmundja
Simptomat e sëmundjes mund të paraqiten në çdo moshë që nga dy vitet e para të jetës kur dhe fillohet ushqimi plotësues. Sëmundja e Celiakisë shkaktohet nga gëlltitja e glutenit, që është një kompleks i proteinave të patretshme në ujë që ndodhen në grurë, thekër dhe elb (por jo dhe tërshërë), që te personat e predispozuar gjenetikisht për Sëmundjen e Celiakisë, e njohin si të huaj dhe nxisin një përgjigje ndaj tij duke shkaktuar dëmtim të zorrëve te holla.
Manifestimet klinike
Sëmundje Celiakië vështirë mund të diagnostikohet, sepse ajo shfaqet tek njerëzit në mënyra të ndryshme. Ka rreth 300 simptoma të njohura të cilat mund të shfaqen në sistemin tretës ose pjesët tjera të trupit.
Disa pacientë mund edhe të mos kenë fare simptoma. Megjithatë, të gjithë njerëzit me sëmundje te celiakisë, janë gjithmonë të rrezikuar nga paraqitja e komplikimeve (pasojave) afatgjata.
Simptomat klinike me të shpeshta janë:
• barkqitja me erë të rëndë ose kapsllëku – paraqitet në mbi 50% të pacientëve
• simptomat e vazhdueshme dhe të pashpjeguara gastrointestinale, të tilla si të përzierje dhe vjellje
• dhimbje dhe fryrje e përsëritur e barku.
• pagjakësi (anemi) – shpesh e vetmja simptomë e dukshme tek celiakia mund të jetë anemia rezistente në terapi
• lodhje dhe dhembje koke
• humbje në peshë (por, jo në të gjitha rastet)
• ulcerat në gojë
• humbje e flokëve (alopecia)
• skuqje të lëkurës (pezmatim herpetiform i lëkurës )
• probleme me smaltin e dhëmbëve
• rrallim i eshtrave (osteoporozë)
• depresion
• pubertet i vonuar apo me vonë infertilitetit
• aborte spontane të përsëritura
• problem nervore, ngacmueshmëri, çrregullim të lëvizjeve dhe ndjeshmërisë
Simptoma të tjera më të shpeshta te fëmijët janë:
– humbje në masën muskulore në duar dhe këmbët
– fryrje barku
– nervozizëm
– mosshtim ne peshë ose të humbasin peshë (pasiqë më parë kanë pasur një rritje të mirë)
– ngecje në rritje
Diagnostikimi
Ka disa teste serologjike (gjakut) të cilat aplikohen për të diagnostikuar sëmundjen e Celiakisë por më së shpeshti përdoret i ashtuquajturi testi i TTG-IgA (antitrupat trans glutaminik). Nëse rezultatet e testit janë pozitive dhe sugjerojnë për sëmundjen e Celiakisë, atëherë rekomandohet të bëhet biopsia e zorrëve të holla për të konfirmuar diagnozën.
Përse është e rëndësishme diagnoza sa më e hershme dhe kush duhet të testohet?
Diagnoza sa më e hershme dhe fillimi i hershëm i trajtimit do të parandalonte komplikimet afatgjata dhe një fëmijë do t’i mundësohej rritje dhe zhvillim normal.
Kush duhet të testohet për Celiaki?
1. Çdo person pas moshës 3 vjeçare me simptomat e lartshënuara.
2. Familjaret e pacientëve me sëmundjen e Celiakisë
3. Fëmijët me sëmundjet e tjera autoimmune (Diabeti mellit, Sindromi Downn, tiroiditi autoimun etj)
Mjekimi
Mënyra e vetme por shumë e suksesshme në trajtimin e sëmundjes së Celiakisë, është dieta strikte pa gluten gjatë tërë jetës. Dieta pa gluten mund të jetë më e lehtë se sa që mendoni, sepse shumë ushqime të natyrore janë pa gluten, të tilla si mishi, peshku, pemët dhe perimet, vezët, qumështi, orizi, misri, patatet dhe fasulja.
Për shkak të rrezikut të shtuar për osteoporozën, është e rëndësishme që këta persona të konsumojnë rregullisht ushqim që përmban kalcium si qumësht dhe djathë.
Sot shumë produkte të fabrikuara janë të dedikuara ekskluzivisht për të sëmuret me Celiaki, janë pa gluten. /Telegrafi/