Hematoma paroksizmale e gishtit është një sëmundje beninje, vetëkufizuese, e cila u përshkrua për herë të parë nga Achenbach në vitin 1958
Dr. med. Naim Mehmeti
Internist dhe Angiolog
mehmeti.naimm@gmail.com
Etiologjia
Etiologjia është e panjohur. Dyshohet se lëndimet apo ruptura e venave të vogla janë përgjegjëse për zhvillimin e hematomës.
Hematoma paroksizmale e gishtit (sinonime: sindroma e Achenbachit ose apopleksi i gishtit) mund të ndodhë spontanisht ose si rezultat i stresit të përditshëm mekanik si p.sh bartja e çantave për blerje.
Femrat preken më shpesh se meshkujt, veçanërisht në dekadën e 4 -të ose të 5-të të jetës.
Simptomat
Sindroma karakterizohet nga fillimi i papritur i dhimbjes së fortë me karakter therëse ose djegëse në anën volare të gishtit, e shoqëruar me ënjtje të theksuar.
Brenda një kohe shumë të shkurtër zhvillohet një hematomë, i cili mund të përhapet në majë të gishtit dhe pëllëmbën e dorës.
Ndërsa hematoma zgjerohet, gishti i prekur lirohet nga presioni dhe simptomat përmirësohen ndjeshëm. Hematoma absorbohet brenda pak ditësh dhe dhimbja tërhiqet plotësisht.
Diagnoza
Anamneza dhe ekzaminimi klinik janë të mjaftueshme për diagnozën.
Nëse ënjtja është shumë e madhe, mund të jetë e vështirë të përjashtohet ishemia e gishtit. Në këtë rast, një ekzaminim angiologjik i sistemit arterial (oszilografi dhe doplersonografi) indikohet.
Diagnoza diferenciale
Tromboflebiti i venave të gishtit, ishemia akute.
Terapia
Gjatë fazës akute rekomandohet komprimimi i gishtit të prekur.
Pasi që është një patologji beninje dhe vetëkufizuese, është shumë me rendësi të informohet në detaje pacienti.
/Telegrafi/