Njerëzit i duan ata që shprehin interesim për ta
Njerëzit duan ata që interesohen për ta, për mendimet e tyre, që janë të vëmendshëm kur flasin dhe që diskutojnë në lidhje me to. Njerëzit duan ata që i ndihmojnë dhe që u falin dhurata. Dhurata mund të jete shumë modeste, por ajo sjell gëzim dhe jep siguri. Të gjithë e dimë se sa mirë ndihet një femër kur merr një dhuratë nga partneri i saj, aq më tepër kur kjo dhuratë nuk bëhet në ditë festash, por në një ditë krejt të zakonshme. Njerëzit kanë nevojë për dikë që t’i shprehin hallet dhe interesat e tyre, dhe nuk kanë nevojë për dikë që thotë: duhet të dini këtë dhe atë dhe të bëni këtë dhe atë. Kjo nuk ka efekt.
Njerëzit duan ata që janë të ngjashëm me ta
Prandaj njerëzit janë dhe egoist, sepse pëlqejnë ata persona që ngjajnë me veten e tyre, pëlqejnë shijet e tyre, miratojnë vendimet e tyre. Sigurisht që njerëzit nuk i tërheqin ata persona që janë krejt të ndryshëm nga vetja e tyre, u shmangen atyre. Rast tipik marrin femrat. Ato tërhiqen pas meshkujve që tregojnë interes për to, shoqërohen me ta vetëm se gjejnë gjëra të përbashkëta dhe në momentin kur mashkulli shfaq diçka ndryshe nga shijet e femrës ajo menjëherë shfaq pakënaqësi.
Njerëzit duan ata që i dëgjojnë
Njerëzit i duan ata që dëgjojnë se çfarë i mundon, jo të dëgjojnë tek flasin për vete, por të dëgjojnë bashkëbiseduesin se çfarë thotë dhe ti japin guxim për t’u shprehur. Kjo është e ngulitur në natyrën e njeriut. Njeriu dëshiron të flasë për çështjet që e preokupojnë dhe dëshiron që bashkëbiseduesi të marrë pjesë në këto çështje. Për njeriun janë shumë të rëndësishme ngjarjet në jetën e tij personale, siç është diplomimi, posti i ri në punë, një marrëdhënie e re, martesa, lindja, vdekja, prandaj njeriu nuk rri pa reaguar ose komentuar në lidhje me këto ngjarje, së paku duke e uruar apo ngushëlluar personin tjetër për arritjet ose humbjet.
Njerëzit i duan ata që i respektojnë dhe nderojnë
Për nga natyra e tij, njeriu e do atë që e do, e respekton dhe e nderon. Nëse nga personi tjetër nuk respektohet dhe nderohet, as ai nuk e respekton dhe nderon pavarësisht nga pozita.
Njerëzit i duan ata që ua korrigjojnë gabimet pa ua lënduar ndjenjat
Duhet te kemi takt ne të folur, të marrim parasysh situatën në të cilën ndodhemi, personin që po komunikojmë. Mënyra më e mirë për të kritikuar është që të përmendim më parë gjërat me të cilat jemi dakord, pastaj vërejtjet. Kjo gjë duhet të respektohet sidomos në marrëdhëniet në çift. Që të mos kalojmë në debate të kota duhet të dimë të shprehim pakënaqësitë në mënyrë të tillë që të mos e lëndojmë partnerin. ”Fjala e fundit të mos thuhet e para”. /Telegrafi/