Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725
http://www.shtatezania.com
Gjatë procedurës së kryerjes së HSG (histerosalpingografisë) përmes një gypi futet në mitër kontrasti i cili mbush mitrën dhe kalon nëpër tubat e mitrës. Gjatë ekzaminimit bëhen fotografime me aparaturën rëntgen. Sot, aparatura është digjitale dhe bëhet në mënyrë shumë të sofistikuar duke bërë të mundur që të studiohet çdo detal i mitrës dhe tubave të mitrës si dhe studiohet hapësira përreth mitrës dhe tubave (psh adhezionet). Përmes HSG mund të shihet ndonjë problem ose formë jonormale e mitrës që e bën të pamundur ngjitjen (implantimin) e qelizës vezë të fekonduar. Me HSG poashtu mund të zbulohet se tuba e mitrës është e bllokuar në ç’rast shtatzënia është e pamundur, sepse spermatozoidi nuk mund të kalojë nëpër tubë, por edhe qeliza vezë nuk mund të lëvizë kah mitra.
Histerosalpingografia është procedurë diagnostike, por njëkohësisht është edhe terapeutike, sepse nëse tubat janë të bllokuara, kontrasti vajor mund t’i rihapë tubat. Për më tepër muajt e parë pas kryerjes së HSG gjasat që të ndodhë shtatzënia janë dyfish më të mëdha krahasuar me më parë.
Histerosalpingografia bëhet:
• Për të parë kalueshmërinë e tubave të mitrës. Infeksionet mund të bllokojnë kalueshmërinë e tubave dhe në këtë rast një grua nuk mund të mbetet shtatzënë. Gjatë HSG kontrasti mund të hapë tubat të cilat më parë kanë qenë të bllokuara.
• Për të zbuluar probleme në mitër, si për shembull forma ose struktura jonormale e mitrës, mund të zbulohet polipi, mioma, adhezionet ose edhe trupat e huaj në mitër. Këto probleme bëjnë që një grua të ketë aborte të përsëritura dhe që të ketë shumë dhimbje gjatë menstruacioneve.
Kjo procedurë kryhet dy deri pesë ditë pas përfundimit të menstruacioneve. Është me rëndësi që HSG të kryhet atëherë kur një grua nuk ka gjakrrjedhje nga mitra, por gjithashtu të bëhet përpara ditës së ovulacionit.
Histerosalpingografia bëhet nga mjeku gjinekolog në një kabinet rëntgeni. Përpara se të kryhet HSG gjinekologu përshkruan brufen për të relaksuar mitrën dhe për të zvogëluar ngërçet e barkut. Përpara ekzaminimit pacientja duhet të urinojë dhe më pas shtrihet në tavolinën e ekzaminimit. Vagina pastrohet me jod dhe më pas futet spekulumi. Qafa e mitrës poashtu pastrohet me jod dhe kapet me kapëse të cerviksit. Më pas në kanalin cervikal futet një tub fleksibil (kateter) nëpër të cilin do të kalojë kontrasti. Pastaj me një shiringë futet kontrasti i cili do të mbush mitrën dhe do të kalojë nëpër tubat e mitrës prej ku kalon në hapësirën e barkut. Nëse tubat janë të mbyllura, kontrasti nuk do të mund të kalojë nëpër tuba. Gjatë gjithë kësaj kohe mjeku dhe pacientja mund të shohë në TV monitor lëvizjen e kontrastit në mitër dhe nëpër tubat e mitrës. Pasi të kryhet HSG hiqet kateteri dhe spekulumi. Kjo procedurë zakonisht nuk zgjatë më shumë se 10-15 minuta.
Gjatë kryerjes së HSG pacientja ndien shtrëngim të barkut i cili krahasohet me ngërçet e barkut gjatë menstruacioneve. Ky diskomfort zgjatë për pak minuta dhe zhduket shumë shpejt.
Pas kryerjes së HSG gjinekologu përshkruan një antibiotik për të parandaluar infeksionin dhe infermierja e cila i asiston gjinekologut ju jep një binde, sepse është normale që nga mitra të rrjedhë për pak kohë një sasi kontrasti.
Duhet ta lajmëroni gjinekologun nëse pas kryerjes së HSG keni gjakrrjedhje nga mitra më gjatë se tri ditë dhe nëse keni ethe ose dhimbje të forta.
Si përfundim përparësitë e histerosalpingografisë janë këto:
• HSG është procedurë minimalisht invazive dhe e shkurtër përmes së cilës zbulohet shkaku i mosmbetjes shtatzënë, por zbulon edhe shkakun e aborteve të përsëritura.
• Me HSG mund të rihapen tubat gjë që bën të mundur që gruaja të mbetet shtatzënë pa procedura dhe mjekime shtesë.
• Rrezatimi që përdoret për HSG nuk është i dëmshëm për gruan dhe pas kryerjes së HSG nuk mbetet rrezatim në trupin e saj. /Telegrafi/