Site icon Telegrafi

Çerkezi: Do ta bëjmë Ministrinë për Fetë dhe Familjen

Me fitoren e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi në zgjedhjet e 11 qershorit Kosovës do t’i shtohet edhe një ministri, ajo për Fetë dhe Familjen.

Këtë e ka thënë kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi në një intervistë për KosovaPress.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për një ministri të tillë për shkak se feja është një temë e ndjeshme dhe që duhet investuar në të.

“Dje në Gjilan kërkova që neve të kemi edhe një Ministri për çështjet fetare, sepse është temë e ndjeshme, është temë që do investuar në të, do trajtuar, jo vetëm të fesë, por të fesë dhe familjes. Për faktin se kemi nevojë edhe për familjen ku në programin tonë të koalicionit kemi të bëjmë edhe për shtimin e natalitetit, sepse ka filluar të bie. Por, përveç shtimit të natalitetit detyrimisht duhet të merremi edhe me llojin e natalitetit, çfarë cilësie kemi brenda natalitetit. Me emër të Zotit po, sepse është domosdoshmëri e kohës, përndryshe do të na e mbjellin të tjerët pastaj dhe do na e mbjellin sepse kushtetuta ekziston, komunitetet fetare janë edhe një ministri e tillë do të ishte perlë”, tha ai.

Ndërsa, tek çështja e lëndës së edukatës fetare ai tha se e kanë kërkuar me arsyetimin që të mos futet në Kosovë eksperimente të huaja në interpretimin fetar.

Kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi, ka thënë se ka hyrë në listë për tu bërë deputet i Kuvendit të Kosovës pasi që ka parë që Kosova ka nevojë për ndryshime dhe për reforma.

Ndërsa, koalicionin me LDK-AKR dhe Alternativen ai e quan të natyrshëm për shkak të elektoratit që sipas tij e kanë të përbashkët.

Po ashtu, ai tha se edhe programi është i përbashkët, edhe çështjen e besimit në Zot edhe familjen.

Ndërsa, për kandidatin për kryeministër të këtij koalicioni Avdullah Hoti, Çerkezi tha se është njëri më tepër i punës sesa i premtimeve. /kp/

Exit mobile version