Site icon Telegrafi

Celular në vesh – tumor në tru

Shkencëtarët që u morën me këtë studim arritën në përfundimin se përdorimi i telefonit për një orë në ditë është më se e mjaftueshme për të rritur rrezikun, ndërsa standardet ndërkombëtare të përdorura deri më tani për të mbrojtur përdoruesit nga rrezatimet nuk janë të sakta dhe se duhen rishikuar patjetër. Pas një sërë studimesh të hollësishme, ata treguan se "duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përdorim në mënyrë të limituar telefonat celularë, por mbi të gjitha duhet të bindim fëmijët që të heqin dorë nga ideja për të pasur një të tillë.

Studimi, i publikuar në numrin e fundit të revistës "Ocupational Environmental Medicine", është i rëndësishëm sepse pas shumë kohësh dyshime i bëri kërkuesit që të studionin lidhjen që mund të kishte përdorimi i gjatë i telefonit celular me zhvillimin e disa sëmundjeve, sidomos me tumorin në kokë. Kanceri do më shumë se dhjetë vjet të zhvillohet, por meqë telefonat celularë janë përhapur kaq shumë kohët e fundit, kjo do të thotë se gjithmonë e më shumë njerëz po i përdorin ata për një kohë të gjatë.

Garancitë që i bëjnë telefonat shumë të sigurt bazohen në kërkimet e bëra mbi shumë pak njerëz të ekspozuar ndaj rrezatimeve për një kohë të gjatë, mjaftueshëm për shfaqjen e një sëmundjeje, por pa asnjë vlerë për statistika të sakta.

Muajin e kaluar, një studim i madh i bërë në Britani mbi rreziqet e shëndetit nga përdorimi i teknologjisë i quajtur "Mobile Telecommunications and Health Research", i financuar nga qeveria dhe burime të tjera, tregoi se "telefonat celularë nuk lidhen fare dhe nuk kanë asnjë efekt negativ mbi shëndetin". Por, drejtuesi i gjithë kësaj e pranoi se një pjesë e vogël e kërkimeve u bazua mbi njerëz që kishin përdorur telefonin për më shumë se dhjetë vjet. Megjithatë, ai thotë se "ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që kanceri të mund të shfaqet brenda një periudhe të shkurtër kohe". Por, gjithashtu, ai tha se nga hulumtimi zbuloi se mund të kishte një rritje të numrit të njerëzve të prekur nga tumoret në tru, nëse ata ekspozoheshin për më shumë se dhjetë vjet ndaj rrezatimeve që lëshojnë telefonat, gjë që i shtyu të bënin më shumë kërkime.

Studimi i ri

Studimi i ri, i udhëhequr nga dy profesorë suedezë, Lennart Hardell dhe Kjell Hansson Mild, hapi disa rrugë të reja për të marrë më shumë informacione. Dy shkencëtarët bashkuan edhe rezultatet e 11 studimeve të tjera, që ishin bërë më parë për zhvillimin e tumorit te njerëzit që kishin përdorur telefona celularë për më shumë se dhjetë vjet. Ata i bashkëngjitën kërkimeve të tyre edhe rezultatet nga studimet e bëra në Suedi, Danimarkë, Finlandë, Japoni, Gjermani, SHBA dhe Britani.

Ata gjetën se pothuajse të gjitha studimet kishin zbuluar një rrezik në rritje, sidomos në anën e kokës ku njerëzit vendosin telefonin e tyre celular. Pesë nga gjashtë studimet treguan se te këta njerëz mundësia për një tumor malinj në tru ishte më e madhe. Po ashtu, ata gjetën se përdoruesit e rregullt kanë mundësi për të zhvilluar më shumë tumore se njerëzit e tjerë. Pas analizës së hollësishme, ata arritën në përfundimin se njerëzit që kanë përdorur telefonat e tyre për një dhjetëvjeçar ose më shumë, janë 20 për qind më të prirë për të zhvilluar sëmundjet e veshit dhe 30 për qind për një tumor malinj. Po ashtu, rreziku është shumë herë më i madh në anën e kokës, nga e cila telefoni është mbajtur më gjatë. Në fund, shkencëtarët thanë se "rezultat e studimit të fundit në përdorimin e telefonave celularë për më shumë se dhjetë vjet rrisin ndjeshëm rrezikun e kancerit malinj në kokë apo vesh".

Gjithashtu, ata shtuan se rreziku nuk mund të përjashtohet edhe për llojet e tjera të tumoreve të trurit. Ashtu si të tjerët, edhe Hardell e Mild ishin alarmuar nga rezultatet që kishin nxjerrë prej punës së gjatë në këtë fushë. Edhe ata kishin arritur në përfundimin se njerëzit që e përdornin më shumë telefonin ishin rreth tri herë më të prirë për të zhvilluar malignant gliomas, se sa njerëzit e tjerë dhe rreth 5 herë për ta zhvilluar atë në anën ku ata mbajnë telefonin. Për neuromat akustike gjetën se ekzistonte një rrezik tri-katër herë më i madh për të zhvilluar tumorin. Ata nxorën gjithashtu të vetmin studim edhe për efektet e përdorimit për një kohë të gjatë të telefonave pa tel dhe gjetën se kjo rriste rrezikun për të dyja tumoret. Studimet e tyre sugjerojnë se të përdorësh një telefon të lëvizshëm, apo ndryshe telefon celular, për rreth 2000 orë ose më pak se një orë çdo ditë për dhjetë vjet, është mjaftueshëm për të rritur rrezikun.

/Ndryshe/

Exit mobile version