Telegrafi

Carragher këshillon Tottenhamin ta shkarkojë Antonio Conten pas deklaratave të pamatura të italianit

Antonio Conte ka shpërthyer me deklaratën e tij pas barazimit të Tottenham 3-3 në udhëtim te skuadra e fundit në tabelë, Southampton.

Trajneri italian në njëfar mënyre e ofendoi klubin, duke thënë se nuk është faji vetëm i trajnerëve që Spurs nuk kanë fituar trofe për 20 vite.

“Problemi është se ne kemi treguar që nuk jemi ekip. Shoh lojtarë egoistë në fushë, që nuk duan të ndihmojnë veten, që nuk luajnë me zemër. Ata janë mësuar prej kohësh me këtë sjellje”.

“Klubi ka përgjegjësi për tregun e transferimeve. Trajnerët vijnë këtu dhe sigurisht që kanë përgjegjësi. Po lojtarët? Lojtarët, ku janë lojtarët? Ata nuk duan të luajnë nën presion”.

“Ata nuk duan të luajnë nën stres. Historia e Tottenhamit është kjo, në 20 vjet nuk ka fituar asgjë. Pse? E ka fajin klubi apo të gjithë trajnerët që vijnë? Deri tani jam munduar ta fsheh situatën”, shpërtheu trajneri italian.

E pas kësaj deklarate të Contes ka reaguar ish mbrojtësi anglez Jamie Carragher, duke i bërë kërkesë Tottenhamit që ta shkarkojnë italianin.

Sipas ish-mbrojtësit të Liverpoolit kjo deklaratë e Contes ka ardhur pasi italiani kërkon të shkarkohet nga drejtuesit e Tottenham.

Lexo po ashtu “20 vjet dhe asnjë trofe, gjithmonë faji i trajnerëve”, Conte ‘godet’ lojtarët dhe klubin

“Ai dëshiron të shkarkohet gjatë kësaj periudhe pushimi për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve. Tottenham duhet ta marrë që sonte këtë vendim”.

“Është e drejtë ajo që thotë se Spurs nuk fitojnë prej vitesh, por nuk mund të flasësh në këtë mënyrë për klubin tënd. Sidomos kur përfiton atë pagë që përfiton. Arsenali u rendit poshtë Tottenhamit sezonin e kaluar. Rritja e Arsenalit këtë sezon, i shkatërron plotësisht shumë prej argumenteve të Contes”, deklaroi ish-mbrojtësi anglez. /Telegrafi/