Telegrafi

Carlos Sainz fiton Çmimin e Madh të Australisë, lë pas vetes shokun e skuadrës Charles Leclerc

Carlos Sainz ka fituar Çmimin e Madh të Australisë në Formula 1 për Ferrarin, duke lënë në pozitën e dytë shokun e tij të skuadrës Charles Leclerc.

Kjo fitore për Sainz ishte një rikthim i mrekullueshëm për pilotin i cili është ende duke u rikuperuar pasi iu nënshtrua operacionit të apendiksit dhe është jashtë kontratës për sezonin e ardhshëm.

Sainz e udhëhoqi garën në mënyrë të mrekullueshme duke e lënë shokun e tij të skuadrës Charles Leclerc në pozitën e dytë në ‘Albert Park’, teksa Ferrari mbajti dy vendet e para për herë të parë që nga gara e Bahreinit në 2022.

Lando Norris i McLaren përfundoi në pozitën e tretë, ndërsa rezultat fantastik pati edhe shoku i tij australian Oscar Piastri që u rendit i katërti.

Lewis Hamilton, i cili do të zëvendësojë Sainz tek Ferrari, përfundoi një vikend të vështirë pasi u tërhoq shkaku i dështimit të motorit, ndërsa fatkeqësitë nuk u ndalën për Mercedesin, pasi shoku i tij i skuadrës George Russell u përplas në xhiron e fundit.

Për Sainz, kjo ishte një fitore e jashtëzakonshme. Spanjolli iu nënshtrua një operacionit të apendiksit vetëm dy javë më parë, gjë që e detyroi të tërhiqej nga Çmimi i Madh i Arabisë Saudite.

Sainz ishte i vetmi pilot që i mohoi Red Bullit fitoren sezonin e kaluar, pasi triumfoi në Singapor, dhe i pari që e bëri këtë këtë vit. Kjo ishte fitorja e tretë në karrierën e tij pasi fitoi edhe Çmimin e Madh të Britanisë në vitin 2022./Telegrafi/