Telegrafi

Cape Verde kombëtarja e radhës që siguron çerekfinalen e Kupës së Kombeve të Afrikës

Cape Verde ka shënuar fitore minimale me rezultat 1-0 në duelin ndaj Mauritanisë, duke ‘prerë’ kështu biletën për në çerekfinale të Kupës së Kombeve të Afrikës.

Pjesa e parë u karakterizua me dominim të Cape Verdes, të cilët patën disa mundësi të mira për të kaluar në avantazh, por nuk ja dolën që t’i shfrytëzojnë ato.

Ryan Mendes (10’) dhe Jovane (44’) patën dy raste të mira shënimi por iu mungoi finalizimi përballë portës.

Mauritania e nisi furishëm pjesën e dytë duke rrezikuar në dy raste brenda dhjetë minutave të para.

Fillimisht Aboubakary Koita (57’) nga gjuajtja e lirë iu afrua fare pranë golit me topin që përfundoi afër shtyllës, ndërsa vetëm disa minuta më vonë Souleymane Anne (59’) shpërdoroi një rast të pastër, duke gjuajtur mbi traversë.

Përpjekjet e njëpasnjëhsme të Cape Verdes në fund u shpërblyen me gol dhe me kualifikim.

Ryan Mendes (88’) shënoi për 1-0 nga pika e bardhë e penalltisë duke i dhënë shtetit të tij biletën e kualifikimit në çerekfinale të turneut./Telegrafi/