Poezi nga: Frederik Rreshpja
Të vdekurve u veshin këpucë të reja,
se duhet të shkelin në udhë pa krye,
mirazh shkretëtire në rendje pa fund,
pa semaforë e vija të bardha e shtylla,
pa policë trafiku e manekinë mode,
pa kalimtarë në sens të kundërt si duna,
për gjetjen e orës, adresës së saktë.
Mbi kalldrëme shtruar me gurë sizifi
trokasin shojet e ngrëna si patkoj kuajsh,
ciasin gomat si në përplasje veturash,
thyhet njëqind copash pasqyra e lustrës.
O sa këpucë të reja u shitën sivjet!
Ata shqiptojnë një fjalë ndërkombëtare,
non stop-in rraskapitës me theks modern,
në maloren si thikë, pa ndalesa biblike,
pa pemë, pa zogj lajmëtarë si dekor.
Poshtë lart majtas djathtas para mbrapa – qiell,
me engjëj merramendës, me djaj rrëshqitës,
sipas rregullave të qarkullimit të Dantes.
Shohin dyzimin e tyre mbi pluhur këpucësh
që tingëllojnë si një kor antik në boshllëk,
gjersa lëkura çahet, këmba rri zbathur.
I largët është caku të mbërrihet tek Zoti,
me labirinthin e shpresës vetvetiu hapur.