Hulumtimet e para laboratorike dëshmojnë se “një spektër i gjerë i çajeve standard duket se i shkatërron apo i mbyt viruset", njofton Reuters.
Efekti i disa llojeve të çajit të gjelbër dhe të zi, si i ftohtë apo i nxehtë, është testuar në qelizat e kafshëve të infektuara me viruset siç janë herpes simplex tipi 1 e 2 dhe virusi (bakterial) T1.
Hulumtuesi, doktor Milton Schiffenbauer nga universiteti Pace në New York thotë se "çaji, si i ftohtë apo i nxehtë, me të vërtetë shkatërron apo mbyt virusin (e herpesit) në afat prej disa minutash". Rezultate të ngjashme janë marrë edhe në analizat e bëra me virusin T1.
Edhe pse ende nuk është tërësisht e qartë se si çaji i sulmon viruset, hulumtuesit kanë zbuluar se çaji është i efektshëm edhe nëse zbutet shumë. Gjithashtu është dëshmuar se çaji i zi ka efekt diç më të fortë anti-viral sesa çaji i gjelbër.