Site icon Telegrafi

Buzhala: 85% e konsumatorëve janë duke u furnizuar me energji elektrike në Mitrovicë

Janë bërë tri ditë që nga djegia e trafostacionit në Trepçë dhe qytetarët  e Mitrovicës ende janë duke u përballur me reduktime të mëdha të energjisë elektrike.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala në një prononcim për Telegrafin ka thënë se KEDS-i i ka kryer të gjitha punët që i takojnë për ta furnizuar qytetin e Mitrovicës me energji elektrike.

Sipas tij, 120 punëtorë kanë punuar të mërkurën për ta sjellë energjinë elektrike.

“Kanë qenë 120 punëtorë që kanë punuar të mërkurën për ta sjellë energjinë elektrike sa më shpejtë të jetë e mundur dhe ia kanë arritur brenda ditës, duke vendosur shtylla, rreth 2.500 metra kabllo e përçues dhe materiale përcjellëse”, ka thënë Buzhala.

Ai po ashtu tregoi se pjesa më e madhe e qytetit dhe fshatrave përreth, pra mbi 85 për qind e konsumatorëve janë duke u furnizuar me energji elektrike.

“Ka reduktime, të cilat po bëhen me rend për shkak se trafo e KOSTT-it, ku ne e kemi bartur furnizimin, pra nga ana e Vushtrrisë është pak mbi 30 MW/h e kërkesa është 40 MW/h. Linja tjetër e cekur më poshtë, ajo e Vallaqit nuk është kyçur ende për shkaqe procedurale/teknike që janë jashtë kompetencave të KEDS-it. Ne i kemi kryer të gjitha punët edhe në atë linjë qysh pardje”, theksoi zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri tha për Telegrafin se stafi i KEDS-it ka bërë të pamundurën që qyteti i Mitrovicës të pajiset me energji elektrike, mirëpo Prishtina nuk është duke i ndihmuar në këtë drejtim.

“Ne për momentin i kemi 27 Megawatë, nga Vushtrria ku 2 Megawatë ia kemi dhënë Trepçës, Mjë megawat ia kemi dhënë ujësjellësit dhe na kanë mbetur 24 Megawatë që të shpërndahen me orare të caktuara”, u shpreh ai.

Kryetari i Mitrovicës, ka shprehur po ashtu keqardhje për të gjithë qytetarët e Mitrovicës.

“Tjetër zgjidhje për momentin KEDS-i nuk më ka dhënë. Shpreh keqardhje për të gjithë qytetarët pasi nuk kam tjetër rrugëzgjidhje, por për sa e kryejnë nuk e dinë”. /Telegrafi/

Exit mobile version