Pamja e ngrysur e aktorit ikonë, James Dean, mund t’i ketë lënë gratë e asaj kohe pa frymë, por shkenca zbulon një mënyrë të re për të qëndruar në një lidhje afatgjatë dhe ky sekret është buzëqeshja.
Kërkuesit zbuluan se gratë që donin një marrëdhënie afatgjatë, ishin më të interesuara për burra që buzëqeshnin në mënyrë tërheqëse. Femrat gjithashtu i cilësuan si më të besueshëm meshkujt që buzëqeshnin, krahasuar me ata që kishin një shprehje neutrale në fytyrë.
Megjithatë, gratë që kërkonin një marrëdhënie afatshkurtër, nuk e shihnin buzëqeshjen si diçka shumë tërheqëse te një mashkull, thonë psikologët nga Universiteti i Oslos dhe Universiteti Senshu në Japoni.
Burrat që duken si më të besueshëm, janë një opsion më tërheqës për një partneritet afatgjatë, pasi në të përfshihet edhe të bërit prind, thonë kërkuesit.
Por ky tipar i karakterit është më pak i rëndësishëm për një lidhje që mund të zgjasë disa muaj.
“Buzëqeshja është arma e duhur e një mashkulli për të tërhequr femra që duan lidhje afatgjatë, por kjo nuk është e vërtetë për lidhjet afatshkurtra”, thanë hulumtuesit në revistën “Psikologjia evolucionare”.
Gratë janë më të interesuara në faktorë shoqërorë, si besimi që ngjall një mashkull, kur marrin parasysh një lidhje të gjatë, ku mund të përfshihet edhe të qenët prind. Kjo kërkesë e femrave minimizon rrezikun e humbjes së angazhimit nga partneri gjatë shtatzënisë dhe më pas.
Buzëqeshja përbën një avantazh për këdo që projektohet si një partner i mundshëm në një të ardhme të papërcaktuar. Kjo ide u shkon për shtat edhe strategjive tona evolucionare në përzgjedhjen e partnerëve për të qenë prind.
Në pjesën e parë të studimit, 218 grave iu treguan disa foto të burrave që buzëqeshnin dhe disa foto me shprehje fytyre neutrale. Atyre iu kërkua të vlerësonin shkallën e tërheqjes te burrat për një lidhje afatshkurtër ose për një marrëdhënie afatgjatë, si për shembull një martesë e mundshme.
Në pjesën e dytë të studimit, një tjetër grup prej 71 grash, panë një seri fotografish të burrave që buzëqeshnin ose që kishin një sjellje neutrale të fytyrës. Atyre iu kërkua të vlerësonin se sa të besueshëm u dukeshin këta burra dhe sa mashkullorë ishin në sytë e tyre.
Ndërsa fytyrat neutrale u perceptuan si “më mashkullore”, fytyrat e buzëqeshura ishin te “të preferuarat” për nga besimi.
Kërkime të mëparshme të publikuara këtë muaj zbuluan se është e vërtetë se humori mashkullor mund të jetë i parezistueshëm për një grua.
Studimi i Universitetit të Kanzasit zbuloi se sa më tepër përpiqet një burrë të jetë shakaxhi dhe nëse ia del ta bëjë një grua të qeshë, aq më tepër gjasa ka që ajo të jetë e interesuar për ta takuar sërish.
E kundërta nuk është e vërtetë, pasi gratë që kanë humor, nuk perceptohen si shumë tërheqëse nga meshkujt. /Telegrafi/