Site icon Telegrafi

Buxheti i Komunës së Leposaviqit për vitin 2025 është mbi 6 milionë euro

Pamje nga mbledhja

Gjatë ditës së sotme, Kuvendi Komunal i Leposaviqit ka miratuar buxhetin për vitin 2025.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Komuna e Leposaviqit, bëhet e ditur se buxheti i miratuar për vitin e ardhshëm është mbi 6 milionë euro, shkruan Telegrafi.

“Kuvendi Komunal i Leposaviqit e ka miratuar buxhetin për vitin 2025, i cili është më shumë se 6 milionë euro, për dallim nga viti i kaluar këtë vitë ka rritje”, thuhet në njoftim.

Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës, Lulzim Hetemi dhe anëtarët e ekzekutivit.

“Para asamblistëve projekt-buxhetin e prezantoi Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arjeta Tahiri, e cila theksoi se me këtë buxhet prioritet u është dhënë fushës së infrastrukturës ,zhvillimit ekonomik, bujqësisë, shëndetësisë, etj”, thuhet tutje në njoftim.

Hetemi ka thënë se ky projekt-buxhet reflekton nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Leposaviqit.

“Pas diskutimeve të shumta, me 11 vota për u miratua buxheti për vitin 2025 në shumën prej 6,082,192.00 euro”, thuhet mes tjerash në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version