Telegrafi

Bursa merr zemër nga fjalimi i Bernanke

Stoqet amerikane të aksioneve e mbyllën javën me humbje pasi investitorët vijuan të kenë frikë nga humbjet në sektorin e kompanive financiare, veçanërisht gjigantëve të kredive me kolateral Fannie Mae dhe Freddie Mac.

Stoqet amerikane të aksioneve e mbyllën javën me humbje pasi investitorët vijuan të kenë frikë nga humbjet në sektorin e kompanive financiare, veçanërisht gjigantëve të kredive me kolateral Fannie Mae dhe Freddie Mac. Të premten, investitorët morën zemër nga një fjalim i kryetarit të Rezervave Federale Ben Bernanke si dhe nga rënia e çmimit të naftës, por rezultati i javës qe gjithsesi negativ. Aksionet e Fannie Mae ranë me 37% gjatë javës dhe e mbyllën në vlerën e 5 dollarëve për aksion, ndërsa aksionet e Freddie Mac ranë me 51% në 2.81 dollarë për aksion.

Spekulantët përhapën thashethemet se qeveria do të shpëtojë dy kompanitë nga kriza. Të enjten kjo solli një lehtësim të përgjithshëm që i dha rritje aksioneve të kompanive financiare, por shqetësimet për ecurinë afatgjatë të sektorit vijoi të mbetet i lartë. Në përgjithësi, të gjitha bankat pësuan rënie. Sipas ekspertëve, aksionet e sektorit financiar amerikan kanë nevojë për çmim më të ulët nafte dhe dollar më të fortë për të kapërcyer situatën problematike aktuale. Të premten, bursa u rrit pasi z.Bernanke deklaroi se do të mbajë të ulët normën bazë të interesit për disa kohë, por shprehu besim se çmimet janë stabilizuar tashmë pas rënies së naftës dhe mallrave të tjera. Të premten çmimi i naftës ra me 6%, duke ndihmuar edhe aksionet.

Tregjet aziatike zhyten dy vjet më poshtë

Stoqet e aksioneve në tregjet aziatike ranë në nivelin më të ulët në dy vjet të premten, duke shënuar javën e katërt radhazi me humbje, si pasojë e lajmeve të këqija. Rritja e tensionit mes Perëndimit dhe Rusisë solli një rritje të përkohshme, prej 6.5% në çmimin e naftës, gjë që u zbut vetëm të premten. Rritja në çmimet e mallrave i dha fund edhe vrapimit pa pengesa të dollarit amerikan, i cili u dobësua me 1.3% në fundjavë, megjithëse ekspertët thonë se nuk qenë çmimet e mallrave shkaku i rënies, por më së shumti qe një korrektim teknik pas një rritjeje të gjatë e të shpejtë. Treguesit e bursave Aziatike mbyllën pothuajse të gjitha një javë negative.

Megjithatë, ekspertët mendojnë se kjo është pika më e ulët e mundshme për tregjet aziatike dhe se pas kësaj fillon rritja. Nga analizat historike, gjatë 50 viteve të fundit, recesionet në ekonominë amerikane kanë zgjatur nga 6 deri në 16 muaj. Besohet se këtë herë, SHBA-të filluan recesionin në nëntor të vitit të kaluar, gjë që do të thotë se tashmë kjo krizë është drejt fundit, Vlera e aksioneve amerikane ka rënë në pikën më të ulët katër muaj para fundit të recesionit, sipas analizave historike.

Investitorët largohen pas luftës me Gjeorgjinë

Investitorët kanë larguar fondet e veta nga Rusia me bollëk pas luftës së shkurtër që Moska zhvilloi kundër Gjeorgjisë, bëhet e ditur nga bursa e Moskës. Ka patur një valë të fuqishme shitjeje në titujt e borxheve si dhe në aksionet e kompanive me aktivitet kryesor në Rusi. Tërheqja e investimeve vjen ndërkohë që presidenti Dmitry Medvedev po përballet me presion nga udhëheqësit e biznesit për t’i dhënë fund pasigurisë. Kushtet aktuale pritet të diskutohen këtë javë në “samitin e oligarkëve”, siç thirret jozyrtarisht Bashkimi i Industrialistëve dhe Sipërmarrësve të Rusisë. Industrialistët po ankohen se nuk po arrijnë të tërheqin kredi të lirë nga bankat perëndimore.

Banka Qendrore e Rusisë humbi 16.4 miliardë dollarë në dy javë nga rezervat e veta në valutë të huaj, para që i përdori për të stabilizuar rublën. Kjo qe rënia më e shpejtë në rezerva ndërkombëtare në 10 vjet. Rubla ka qëndruar relativisht stabël nga ndërhyrjet e Bankës Qendrore, por bursa e Moskës ka humbur më shumë se 6.5% nga lufta. Kompanitë e patën të vështirë të gjejnë kapital, pasi investitorët kërkuan norma më të larta interesi për të mbuluar rritjen e normës së rrezikut në ekonominë Ruse. Megjithatë, duket se tërheqja e investitorëve nuk do ta dëmtojë shumë Rusinë. Banka Qendrore e Rusisë ka rezerva në valutë të huaj prej 581 miliardë dollarësh, të tretat në botë për nga madhësia. Interesat e bonove të thesarit të nominuara në rubla Ruse u rritën me 0.75 deri në 1.5% gjatë javës së kaluar. /Shekulli/