Site icon Telegrafi

Bursa, humor i zi te nafta dhe drithi

Çmimet e mallrave kryesore të treguar në bursa, nafta, gruri, misri etj., ofruan gjatë javës së fundit surpriza të shumta për investitorët dhe konsumatorët, surpriza që qenë sa shpresëdhënëse, aq edhe të hidhura. Ditën e enjte, çmimi i naftës ra nën 130 dollarë për fuçi, për t’u rritur të premten në 132 dollarë. Konsumatorët në të gjithë botën e panë me shpresë lajmin e rënies. Por për investitorët, e gjithë java qe shumë acaruese.

"Kjo qe një nga javët më mbresëlënëse në historinë e tregjeve financiare”, – shkroi dje “Financial Times”. Bankat amerikane humbën një të katërtën e vlerës së tyre në bursa, për të rekuperuar në fundjavë 33%. Çmimi i naftës shënoi një rekord të ri historik për të rënë më pas në mënyrë spektakolare 12% brenda një dite. Tregtarët afatshkurtër, që cilësohen si batakçinj nga politikanët, u dogjën si kurrë më parë këtë javë.

Të dielën e kaluar, ndërhyrja e Rezervave Federale në ndihmë të dy bankave amerikane, solli besim te investitorët ditën e hënë. Dy bankat në krizë, Fannie Mae dhe Freddie Mac, 32 dhe 26.5% secila në vlerë aksionesh.

Por pas pak orësh, investitorët filluan të vrasin mendjen. Pyetja e tyre qe: Pse ndërhynë Rezervat Federale?! Përgjigjja që dhanë qe: “Problemi është shumë më i thellë sesa duket. Dy banka të mëdha shpëtuan, por qindra të tjera, nuk mund të ndihmohen nga Rezervat Federale. Jo të gjitha”. Për pasojë, dita u mbyll me humbje. Sektori financiar shënoi nivelin më të ulët në 5 vjet. Dhe dy bankat e ndihmuara, ranë sërish në humbje.

E marta solli akoma më shumë të papritura. Politikanët ndërhynë në shumë raste. Aksionet e bankave ranë sërish, interesat e borxhit publik amerikan u rritën në mënyrë spektakolare. Çmimi i naftës u ul gjithashtu në 136 dollarë për fuçi. Euro u rrit përtej 1.6 dollarëve, por situata u përmbys shpejt.

Të mërkurën, rënia e mëtejshme e naftës dhe disa lajme pozitive nga bankat rajonale, sollën një rritje të shpejtë të vlerës së aksioneve në bursa. Bankat rajonale premtuan divident më të lartë, gjë që rriti vlerën e aksioneve në kompanive financiare me 20%. Investitorët panë rastin për të blerë lirë. Dhe aksionet u rritën sërish. Çmimi i naftës ra në 132 dollarë, por ky lajm u shoqërua me një tjetër, të tmerrshëm. Inflacioni vlerësohet se është rritur me 5% gjatë vitit të kaluar në SHBA.

E enjtja qe një ditë pozitive. Të gjitha bursat u rritën. Çmimi i naftës ra nën 130 dollarë, dollari u rrit me 1.6% kundrejt jenit japonez. Aksionet e dy bankave të krizës, pësuan një rritje të mëtejshme. Aksionet e Fannie e mbyllën javën në kuotën e 13.4 dollarëve. Vetëm dy ditë më parë, kushtonin 8 dollarë. Tani investitorët në të katër anët e botës, presin me ankth ditën e hënë. Askush nuk e di se çfarë do të sjellë java e re.

Java që u mbyll solli përmbysjet më spektakolare në vlerat e aksioneve që qenë parë ndonjëherë në historinë e tregjeve financiare. /Shekulli/

Exit mobile version