Burgosja e drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë të Bosnjës e Hercegovinës (OSA), Osman Mehmedagiq është e lidhur me luftën e shërbimit ndaj rusëve dhe kinezëve.
Kështu pohon gazetari hulumtues boshnjak Avdo Avdiq, duke shtuar se arrestimi i tij është urdhëruar nga Milorad Dodik dhe Dragan Çoviq.
“Sulmi ndaj Osman Mehmedagiqi nuk filloi për shkak të diplomës së tij. Filloi në vitin 2016 kur Dragan Çoviq dhe Milorad Dodik mbajtën në Mostar konferencën e përbashkët për shtyp duke thënë se OSA është një organizatë armiqësore në Bosnjë e Hercegovinë. Gjithashtu ishte edhe rasti i famshëm ‘Usce’ kur zyrtarë nga Republika Srpska u përpoqën të akuzojnë OSA-në për përgjimin e zyrtarëve në Serbi. Ashtu si dy aktakuzat e të njëjtit prokuror që urdhëroi arrestimin e Mehmedagiqit”, tha Avdiq, shkruan Slobodna Bosna.
Po ashtu, ai në dokumentarin “VIRUSSIA” ka thënë se rusët i shfrytëzojnë institucionet e Bosnjës e Hercegovinës për të bërë presion te njerëzit që nuk mendojnë sikurse ata.
“Rusët i shfrytëzojnë edhe institucionet e Bosnjës e Hercegovinës, e edhe kriminelët që të bëjnë presion në njerëzit që nuk mendojnë si ata”, ka thënë ai.
Ndërsa, kreu i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq thotë se arrestimi i shefit të OSA-së është një përpjekje për ta kompromentuar atë.
“Qëllimi është të hiqet Mehmedagiq nga kreu i OSA-së dhe që politikat anti-shtetërore ta kontrollojnë shërbimin e inteligjencës, në mënyrë që ta bëjnë atë një degë të agjencive të inteligjencës nga fqinjët. Ky qëllim nuk është i fshehur, kështu që ne kemi qenë dëshmitarë të disa politikanëve kryesorë serbë që e quajnë OSA-në një ‘agjenci armike'”, deklaron Izetbegoviq.
Prokuroria e Bosnjës e Hercegovinës ka njoftuar se Mehmedagiq u privua nga liria me urdhër të saj. /Telegrafi/