Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki e publikoi të dielën listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen miqësore të 5 marsit, ndaj Haitit. Në këtë listë u panë disa futbollistë të panjohur për opinionin kosovar, ndërkohë që u lanë anash lojtarët nga futbolli kosovar. I vetmi që e pati fatin të ftohej ishte portieri i Prishtinës, Kushtrim Mushica. E ai që pritej më së shumti se do të ftohej, Mentor Zhdrella, katër herë futbollisti më i mirë në Kosovë, befasisht nuk u ftua. Mesfushori i deritashëm i Hysit, e ka shprehur mllefin dhe zhgënjimin në përzgjedhësin, duke dyshuar në zgjedhjet e tij. “Nuk e kam idenë se përse nuk kam marrë ftesë nga Albert Bunjaki, këtë e di vetëm ai. Përzgjedhësi i Kosovës nuk kish lënë asnjë ‘komshi’ në Suedi pa e thirr. Por, çka të bëjmë. Ky është realiteti kosovar”, deklaroi Zhdrella për ‘Sport Plus’.
Madje, ai insiston se ftesën në Përfaqësuese e kanë merituar edhe futbollistë të tjerë, përpos tij. “Ka lojtarë që e meritojnë të ftohen, sepse janë më të mirë se këta në këtë listë. Ka lojtarë në Kosovë, por edhe në Shqipëri, që e kanë merituar ftesën si Mentor Mazrekaj, Besar Musolli, Liridon Kukaj, Qëndrim Dautaj, Besnik Krasniqi e të tjerë”, ka shtuar futbollisti më i mirë në futbollin e pasluftës.
Sa i përket së ardhmes, Zhdrella është i pavendosur nëse do të luajë për Kosovën. E tëra që e ka në mendje momentalisht është zhgënjimi në përzgjedhësin, për të cilin thotë se i ka injoruar futbollistët nga Superliga.
Mt: Bunjaki: Futbollistët e Superligës s’janë të përgatitur
Përzgjedhësi Albert Bunjaki i ka përmendur disa arsye se pse e ka ftuar vetëm Kushtrim Mushicën nga kampionati i Kosovës. Ai theksoi se të gjithë lojtarët i vlerëson njëjtë, por se është bazuar në kualitetin e tyre. Sipas tij, faktor i rëndësishëm është edhe përgatitja fizike. “Liga e Kosovës ka pushim të gjatë mes dy stinorëve. Arsyeja se përse nuk i kemi ftuar Zhdrellën dhe të tjerët ishte mungesa e përgatitjes fizike. Maji do të jetë një rast më i mirë për Zhdrellën dhe lojtarët tjerë nga Kosova”, ka thënë Bunjaki. Përpos futbollistëve që luajnë në Superligën e Kosovës, njëjtë janë injoruar edhe futbollistët kosovarë që luajnë në Shqipëri, për të cilët sigurisht se askush nuk mund të ankohet në përgatitje fizike.
Maxhuni: Do të rritej motivi për të tjerët
Trajneri me përvojë, Hysni Maxhuni është i mendimit se, së paku tre futbollistë të Superligës, është dashur të përfshiheshin në listën anti-Haiti. “Ndoshta është dashur që përzgjedhësi të ftojë më shumë, së paku 2-3 lojtarë, të cilët kanë dhënë kontribut të madh në futbollin kosovar dhe që janë në formë më të mirë. Pasi Llamkos Kosova ka qenë kampion vjeshtor, ndoshta është dashur të ftohet ndonjë lojtar i këtij klubi. Normalisht, është dashur të ftohet edhe Zhdrella, që posedon kualitet të mjaftueshëm për të qenë në mesin e 22 futbollistëve të Përfaqësueses”, thotë trajneri mitrovicas për gazetën.
Ai është i bindur se me këtë rast, motivi tek lojtarët e Superligës do të rritej dhe do të mundoheshin edhe më tepër në të ardhmen, me shpresën që të ftohen në Përfaqësuese.
Sidoqoftë, Maxhuni e arsyeton në njëfarë mënyre Bunjakin, për të cilin thotë se është munduar t’i zgjedh lojtarët kualitativë, të cilët luajnë jashtë vendit. “Por, kjo është vetëm ndeshja e parë dhe besoj se në të ardhmen do të ketë më shumë futbollistë të Superligës në Përfaqësuese.
Sokoli: Është dashur të ftohen 5-6 lojtarë
Njëjtë si Maxhuni, edhe trajneri Bylbyl Sokoli e konsideron shumë pak përfshirjen e vetëm një futbollisti nga kampionatin kosovar. Madje, trajneri i Ferizajt s’ka dyshim se 5-6 futbollistë nga Superliga, pa problem do të mund të ishin pjesë e kontingjentit që do të përballet me Haitin. “Përpilimi i listës është e drejt ekskluzive e përzgjedhësit. Por, unë mendoj se në mesin e 22 të ftuarve, 5-6 futbollistë është dashur të përfshihen nga futbolli kosovar. Sigurisht, në mesin e tyre ka pasur vend edhe për Mentor Zhdrellën”, u shpreh trajneri i trofeshëm kosovar, që po ashtu shprehu bindjen e tij se në të ardhmen në Përfaqësuese do të ketë më shumë futbollistë të Superligës. Në çdo vend të botës, edhe nëse liga nacionale është e dobët, futbollistët e kampionatit vendor nuk lihen anash assesi. Së paku tre prej tyre ftohen rregullisht në vendet tjera. Por, këtë nuk e pa të arsyeshme edhe përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki. Shpresojmë që në të ardhmen të ketë më shumë futbollistë të Superligës në listën e ish ndihmës trajnerit të Kalmarit.
Pse nuk ftohet Mentor Zhdrella?
Zhgënjimin në përzgjedhësin Albert Bunjaki e ka shprehur edhe futbollisti me përvojë kosovar, Shpëtim Babaj. Futbollisti i Trepçës ka mbetur i habitur se si një lojtar i kalibrit të Mentor Zhdrellës, nuk është pjesë e luftës së futbollistëve që do të jenë në dispozicion për ndeshjen e 5 marsit ndaj Haitit. “Nuk e kuptoj se si ka mundësi që ndeshjen e parë të Përfaqësueses sonë (e cila është historike dhe luhet në Kosovë), Albert Bunjaki mos ta grumbullojë lojtarin më të mirë të Kosovës, Mentor Zhdrellën, i cili është shpallur 4 herë lojtari më i mirë i Kosovës dhe përveç kësaj, të gjithë ata që e kanë parë duke luajtur, e dinë shumë mirë se çfarë kualitetesh ka ky lojtar”, ka shkruar mesfushori ofanziv në rrjetin social, ‘Facebook’. “Jam i bindur që është shumë më lart se lojtarët që i ka ftuar (me gjithë respektin që kam për ta). Të gjithë e dinë se po të donte të shkonte jashtë Kosovës, do të ishte duke luajtur në liga edhe më të forta se lojtarët që janë ftuar, me gjithë respektin për ta, të cilët i falënderoj që i janë përgjigjur ftesës dhe që do të na nderojnë”, ka vazhduar Babaj.
Shala akuzon Bunjakin
Ish-futbollisti i gjeneratave të arta të Prishtinës, Kujtim Shala e ka sulmuar ashpër përzgjedhësin Bunjaki. Shala ka deklaruar për ‘Bota Sot’, se Bunjaki nuk e meriton të jetë në krye të Përfaqësueses më të re në botë. “Së pari jam i zhgënjyer me këtë ftesë që e bënë dhe nuk ma thotë goja emrin e përzgjedhësit. Nuk e njoh këtë person, as nuk ia vlen të flas për një njeri që nuk e meriton. Kemi trajner më të mëdhenj se ky zotëri edhe po më vjen shumë keq që ai është në krye të Përfaqësueses”, tha Shala. /SportPlus/Telegrafi/