Site icon Telegrafi

Bundesliga gjermane me risi

Bundesliga gjermane dhe liga MLS e SHBA-së do të jenë në mesin e garave ku do të testohet video-përsëritja në futboll, ka njoftuar trupi që bën rregullat në futboll IFAB, të enjten.

Testimi i teknologjisë së videopërsëritjes po ashtu do të bëhet në disa kampionate tjera si në Brazil e Holandë, më pas në A-League të Australisë në Kupën e Portugalisë si dhe në Botërorin e klubeve në Japoni gjatë dhjetorit, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Në mars, IFAB-i ka aprovuar një periudhë dyvjeçare të testimit duke lejuar teknologjinë të përdoret në katër raste të dyshimta: të përcaktohet nëse ishte gol, nëse lojtari meritoi karton të kuq, nëse ishte penallti apo nëse është gabuar identiteti i lojtarit që është ndëshkuar.

Sistemi do të lejojë një refer shtesë të njohur si VAR (video-ndihmësrefer) për të pasur qasje në videopërsëritjet gjatë ndeshjes. Video-referi mund të rishikojë incidentin me këshillim të arbitrit kryesor apo të këshillojë arbitrat në fushë për një incident që ka mundur t’u ikë. Testet fillestare do të jenë “offline” dhe nuk do të kenë ndikim në lojë, thotë IFAB-i. Ato do të lejojnë video-referët të familjarizohen me sistemin, në marrjen e vendimeve në incidente të qarta që mund të ndryshojnë rrjedhën e lojës, por pa komunikuar me arbitrin kryesor.

Testet e drejtpërdrejta nuk pritet të nisin deri vitin e ardhshëm kur të gjithë pjesëmarrësit të jenë familjarizuar me sistemin.

“IFAB-i beson se mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur pyetjes nëse përdorimi i VAR-ve do të përmirësojë lojën është të testohen në disa regjione, kështu që ne jemi të lumtur që do të kemi këto testime në katër konfederata të ndryshme”, ka thënë sekretari i IFAB-it, Lukas Brud.

Fillimisht rezistues në përdorim të teknologjisë, IFAB-i ka marrë vendim për ndryshime, duke aprovuar teknologjinë e vijës së golit në vitin 2012, të përdorur në rastet kur nuk është e qartë nëse topi kishte kaluar vijën e golit. Që nga atëherë janë shtuar thirrjet për përdorim të video- teknologjisë në aspektet tjera të lojës.

Lojtarët po ashtu janë bërë të prirë për t’u rrëzuar te ndërhyrjet më të vogla dhe për të simuluar, duke bërë që të duket sikur ishte ndërhyrje e rëndë, në mënyrë që lojtari kundërshtar të largohet me karton të kuq.

Exit mobile version