Intervistoi: Shaqir Foniqi
I lindur në Shkodër të Shqipërisë, në cepin e civilizimit evropian, Shyqri Nimani, arriti të realizojë ëndrrën e vet në fushën e artit, duke fituar të gjithë titujt nga arti pamor, shpërblime e mirënjohje, por edhe respekt e dashuri për punë (artistike) të tij.
Ai është mbrojtës i thënies latine “Ars longa,Vita brevës” (Arti është i gjatë, jeta është e shkurtër), prandaj ka krijuar vlera, që koha do t’i çmojë dhe kurrë nuk do të arrij t’ i rrënoj, ose t’i harroj.
Jeni dizajneri i parë në Kosovë. A është dizajni art dhe cili është zhvillimi i këtij lloj arti specifik tek ne?
Ashtu deshi fati që unë të jem i pari, jo vetëm në Kosovë, por, nëse nuk gabohem, në të gjitha hapësirat shqiptare. Duhet të theksoj se dizajnin e kam përzgjedhur vetë dhe me dashuri të madhe. Kjo kategori e jashtëzakonshme dhe shumë e rëndësishme shoqërore dhe estetike, e pranishme në çdo pore të jetës së përditshme të qenieve njerëzore të civilizuara; është domosdoshmëri vitale dhe imperativ i amshueshëm. Gjeniu Leonardo da Vinçi (1452 –1519), kur po ua ofronte zyrtarëve të kohës projektet e veta inventive si dizajner, ai do të shtonte se mund të pikturonte dhe të vizatonte njëlloj mjeshtërisht sikur edhe piktorët më të mirë të kohës.
Tre ambasadorët e fushave të ndryshme të dizajnit kosovar – Agush Beqiri, Shyqri Nimani dhe Matej Rodiqi
Që nga Shkolla e Mesme e Arteve Aplikative në Pejë, unë isha fascinuar nga dhuntia e gjithanshme dhe nga devotshmëria krijuese titanike e Leonardos dhe e Fan Nolit tonë, ndaj shkencës dhe arteve. Andaj, Dizajni është emër i artit sot e asaj dite.
Ndërkaq, që nga themelimi i Katedrës së Dizajnit Grafik, Fakulteti i Arteve – Universiteti i Prishtinës, të cilën e pata themeluar dhe udhëhequr nga viti 1970 e deri më 2010, kemi shkolluar një armatë dizajnerësh të profileve të ndryshme. Disa nga ata që e kanë mbrojtur masterin tek unë, tashmë janë bërë krijues të mirëfilltë dhe janë duke e avansuar më tutje suksesshëm nivelin e dizajnit kosovar. Unë jam i lumtur dhe mburrem me ta. Tani kam themeluar dhe e udhëheq Katedrën e Dizajnit Grafik në Universitetin AAB. Kemi studentë, gjithashtu, shumë të talentuar.
Ju keni përgatitur shumë kopertina librash, pllakate…, të cilat sot e tërë ditën mbesin të patejkaluara. Jeni i përkushtuar, madje deri në detaje dhe sakrificë. A do të thotë se arti është sakrificë që ia vlen?
Unë mendoj se çdo fushë e veprimtarisë njerëzore kërkon përkushtim dhe sakrifica. Por, devotshmëria dhe flijimet për shkencën dhe artin janë shumë më të veçanta. Ato janë ethe krijuese shumë të mundimshme. Por, nëse këto fara të hedhura dhe të kultivuara me dashuri pasionante – atëherë, të korrat do të jenë padyshim me prurje të mëdha. Nganjëherë edhe të jashtëzakonshme. Natyrisht, arti është sakrificë që ia vlen.
Paragjykim mund të ketë vetëm te ata krijues të cilët janë impotentë në vizatim, në kolorit dhe në invencë imagjinative. I tillë është vetëm një grusht i vogël i kolegëve tanë të gjeneratës së vjetër, të cilët për mungesë të tipareve të lartpërmendura, ngushëllohen duke deklaruar kinse ilustrimi na qenka vlerë më e vogël se piktura tradicionale, konvencionale. Ilustrimi, ç’është e vërteta, është piktura prijatare e manuskripteve (librat dorëshkrimorë), e ikonave dhe e freskave. Imazhet e para figurative nuk filluan si piktura ekspresive të shprehjes shpirtërore të njeriut të shpellave (20.000 vjet më parë: Altamira, Spanjë). Ato shëmbëllesa ishin ilustrime (imazhe) informative, si përcaktime të atyre grupeve se për çfarë gjahu do të vendoseshin: kaproj, bizonë etj. Piktorët më të shquar të arteve pamore me përkushtim të njëllojtë e kanë trajtuar vizatimin, pikturën, skulpturën si dhe të gjitha disiplinat e tjera përkatëse. Le të na kujtohen në këtë kontekst ilustrimet e Pikasos, Matisit por edhe të shumë artistëve të tjerë klasikë dhe bashkëkohorë, si pasqyrime ekspresive të vjershave të poetëve më të njohur botërorë. Sot, ilustrimi ligjërohet si lëndë e posaçme artistike profesionale në shumë akademi artistike gjithandej nëpër vende të ndryshme. Ilustrimi i trajtave specifike poetike dhe i fabulave tradicionale (ilustrimi për fëmijë), është bërë shumë atraktiv për artistët e mirëfilltë.
Unë jam marrë për shumë kohë me ilustrimin e poezisë (pikturën e librit). Kam shndërruar verbalen në vizuale, duke synuar transliterimin e vargjeve të poetëve shqiptarë (Bokshi, Podrimja, Gunga, Mekuli, Gjerqeku…) dhe botërorë (Basho, Buson, Issa…) në shëmbëllesa pikturale inventive. Kam ilustruar tre Abetare: të Mehmet Gjevorit, të Qamil Batallit dhe një projekt të ri të Abetares, si autor i tekstit dhe i ilustrimeve (edhe pse e kam kryer para tre viteve, nuk e kam shpalosur asnjëherë publikisht). Po të më pyetnit se a jam i kënaqur me veprimtarinë time artistike – do të thoja se, me një pjesë, nuk jam. Mendoj se është kuptimplote thënia e urtë e një filozofi antik: e di se asgjë nuk di.
Është e vërtetë se unë jam pasues i kësaj doktrine. E bukura dhe e dobishme. Sintagma e dizajnit te mirëfilltë konsiston ne trinomin: estetike (e bukur), funksionale (e përdorshme), ekonomike (e leverdishme). Kur krijoj vepra të figurativizmit ekspresiv (piktura, vizatime, grafika) – krijoj për kënaqësinë time. Kur krijoj vepra për përdorim masovik (logo, posterë, pulla postare, billborde gjigande, ilustrime didaktike…) – nuk krijoj vetëm për kënaqësinë time, sepse në këto raste kemi të bëjmë me komunikim interaktiv.
Njëra ndër disiplinat më të dashura të dizajnit bashkëkohor është formësimi artistik i pllakatit (gjermanisht: plakat; anglisht: poster; frëngjisht: affiche). Unë e adhuroj posterin teatral, filmik, kulturor, politik… andaj edhe kam krijuar një vargan shumë të gjatë me vepra të tilla. Kam marrë pjesë rregullisht, tash e 40 vjet, në disa biennale e trienale prestigjioze botërore, në Tokio, në Varshavë, ne Bërno, në Zagreb, në Sofje, duke e prezantuar Kosovën. Teknika dhe teknologjia (sidomos tani në kohën e kompjuterizimit me programe të sofistikuara digjitale), njohuritë e tilla janë thelbësore.
Jeni njohës i shkëlqyer i Heraldikës, ku keni shkruar librat studimorë, “Trojet shqiptare në harta dhe stema” (shqip, anglisht dhe gjermanisht), pastaj “Arnavudët – Artistët shqiptarë në Perandorinë Osmane”, “Përgatitja e librit”, etj., janë këto vepra kapitale dhe të rralla, të cilat kanë paraqitur gjenealogjinë e kombit tonë nëpër kapërcyell të kohës? Keni edhe diçka për të thënë, apo i keni shteruar të gjitha?
Jam mjaft i kënaqur me suksesin e jashtëzakonshëm të këtyre monografive të mia. Për shembull, monografia “Trojet shqiptare në harta dhe stema”, e cila u botua, pos në shqip, edhe në anglisht dhe në gjermanisht sipas kërkesës së Dr. Ibrahim Rugovës, fitoi njërin nga 6 shpërblimet që u ndan me rastin e 85-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Por, natyrisht, gjithnjë ka vend edhe për prurje më të reja si dhe më cilësore.
Keni lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në filateli, duke fituar edhe disa çmime të rëndësishme. Është kjo edhe një fushë, ku ju jeni dëshmuar si kultivues i artit të dizajnit, duke e pasuruar dukshëm këtë lloj arti të veçantë. Prej nga gjithë ky pasion dhe vrull krijues?
Disiplina e pullës postare gjithashtu është shumë e rëndësishme dhe mjaft atraktive për dizajnerët. Pulla postare në një mënyrë, pos vlerave artistike, është edhe ambasadore e një kombi dhe i një shteti. Unë jam gjithashtu i lumtur edhe për faktin se katër pullat e para të Kosovës i fitova me tema që pasqyrojnë trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Në të gjitha konkurset publike të deritanishme, në të cilat kam marrë pjesë, kam fituar nga disa shpërblime. Edhe këto ditë në konkursin publik të Filatelisë së Kosovës fitova 5 shpërblimet e para.
Keni patur fatin të qëndroni edhe në Japoni, ku keni shkruar edhe disa libra. Ishte ky udhëtim një mundësi e thellimit tuaj në ide e përmbajtje të dizajnit botëror?
Po, gjithsesi. Japonia me trashëgiminë saj të jashtëzakonshme dhe autentike, me teknologji prijatare shumë të sofistikuar – ka pasuruar njohuritë dhe mundësitë e mia për hulumtime të reja në fushën e dizajnit (komunikimet kontemporane vizuale), grafikës (ukiyo-e), pikturës (nihonga) dhe poezisë (haiku japonez). Kam hapur në Tokio ekspozitë personale me frymëzime japoneze. Kam botuar paralelisht, në japonisht dhe në shqip, 100 poezi haiku. Qëndrimi im në Japoni me kohëzgjatje prej dy vjetësh me bursën e Qeverisë së Japonisë, ka rezultuar me dobi të shumëfishta. Gjatë asaj periudhe (1976-1979), kam krijuar një cikël veprash pikturale me emërtimin “Japonia e bukur dhe unë” (Utcukushi nihon to watashi), ku kam pasqyruar vizualisht përmbajtjet e poezive haiku dhe të temave ekologjike shumë aktuale në mbarë botën – mbrojtja e natyrës (Save nature).
Shyqri Nimani dhe pasardhësit e Mehmet Ali Pashës, Princi dhe Princesha Tosun, Aleksandri (Egjipt), 2005
Jeni edhe pedagog i këtij arti. A prisni pasues të denjë?
Unë që tani mund të them se kam lënë pasues mjaft të denjë, disa prej tyre ka vite që janë krijues dhe pedagogë të shkëlqyeshëm në Fakultetin e Arteve të UP-së, Katedra e Dizajnit Grafik.
Ende jeni aktiv edhe me disa dokumentarë televiziv, nën titullin “Kaleidoskopi artistik – Majat e Artit Shqiptar”. Është ky një vokacion tjetër juaji, i fshehur deri më tashti, apo koha, nuk iu ka dhënë kohë për diçka të tillë?
Vitin e kaluar, siç dihet, RTK-ja shpalli tenderin publik për prodhimet e producentëve privat. Studioja e ime artistike, ArsAlbanica, u përzgjoll në mesin e ngushtë të fituesve. Në bashkëpunim me dy djemtë e mi, Albanin dhe Agonin – magjistra të dizajnit dhe të specializuar në Britani të Madhe, prodhuam 12 dokumentarë televiziv me kohëzgjatje secili nga 30 minuta. Ne edhe më parë kemi prodhuar disa dokumentarë dhe spote propaganduese artistike për RTK-në dhe për KEK-un.
Unë, natyrisht, them me modesti se jam shumë aktiv, duke mos e ndërprerë për as një çast veprimtarinë time krijuese artistike. Meqë jam profesionist, duhet të kem vazhdimësi energjike krijuese. Madje, në të gjitha fushat artistike, me të cilat merrem tash e pesë dekada. Vetëm viteve të fundit, 2009 – 2012, kam marrë pjesë në disa ekspozita të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, siç janë: “Ekspozita e Artistëve Kosovarë”, Bruksel, Belgjikë; Ekspozita “30 vjetori i Galerisë së Arteve të Kosovës”, Prishtinë; “PENTAKOS – Pesë Artistë Kosovarë“, Woodrow Wilson International Center, Washington DC, USA; “Mini Print International”, Cadaques, Spanjë (ku u përzgjollën 683 artistë nga 59 vende të botës. Në këtë konstelacion artistësh nga të gjitha kontinentet, Kosova u prezantua me 4 krijues: Unë, Agim Salihu, Enver Rakovica dhe Alban Nimani. Ndërkaq, grafika ime Epic Mood (Disponim epik), u vlerësua shumë lartë, duke u përzgjedhur në mesin e ngushtë të 10 finalistëve; “The Theatre, That’s Me“, Sofia, Bulgaria, (organizatorët kanë ftuar 28 artistë të shquar të rangut botëror nga 18 shtete të ndryshme; “6th International Triennial of Stage Poster, Sofia, Bulgaria (Juria seleksionuese ndërkombëtare zgjodhi veprat e 300 artistëve nga 49 shtete. Unë prezantova Kosovën me tre punime. Njëri nga këto punime, “I Love Gogol – Dead Souls” (E Dua Gogolin – Shpirtrat e Vdekur), prezanton përfytyrimin vizual të veprës së famshme të shkrimtarit rus; “Mini Print International“ – Lessedra, Sofia, Bulgaria (ku janë shfaqur veprat e 573 artistëve nga 66 shtete, kam marrë pjesë me tri grafika: Dramatic Landscape (Peizazh dramatik), Ethnic Table (Sofra etnike) dhe Atrocity (Shkatërrimi); “1st Lessedra International Painting Competition”, Sofia (Bulgaria), 15 dhjetor 2010-15 shkurt 2011, (Sintagma e këtij manifestimi është: Me respekt për cilësinë e artit, jo për madhësinë e artit! Në mesin e 296 artistëve nga 52 shtete, Kosovën e prezantuan me nga tri piktura – Shyqri Nimani, me ciklin Cleft, dhe Adriana Nimani – Kutllovci me triptikun Falling Down; “4th Antalya International Plastic Arts Festival“, Konya, Turkye; “Teatri, Jam Unë“ (The Theatre, That’s Me), Teatri Kombëtar, Prishtinë; 2010/11 “Mini Print International“ – Lessedra, Sofia, Bulgaria; 2011 “Mini Print International”, Sofia, Bulgaria (morën pjesë: Shyqri Nimani, Agim Salihu dhe Adriana Nimani – Kutllovci; Mini Print internacional Cadaqués (Barcelonë), Spanjë (morën pjesë Shyqri Nimani dhe Adriana Nimani – Kutllovci); Mini Print international Cadaqués (Barcelonë), Spanjë (morën pjesë Shyqri Nimani dhe Adriana Nimani – Kutllovci).
Ndërkaq, në shtator të këtij viti, jam përzgjedhur me ftesë të marrë pjesë në ekspozitën e Grafikës së 10 Shteteve Ballkanike, në Zvicër.
Shyqri Nimani me piktorin nga Tirana Alush Shima
Jeni edhe bukurshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Ishte kjo edhe një përgjegjësi juaja, të cilën e mbaruat me sukses?
Edhe me këtë rast isha unë ai të cilit i takoi rasti fatlum dhe shumë me përgjegjësi, që ofrohet një herë në jetën e një artisti. Kufizimi i madh kohor ishte shkaku kryesor që unë, me gjithë përpjekjet maksimale, nuk arrita ta kryej këtë detyrë ashtu siç do të mund ta kryeja po të kisha vepruar në rrethana më të volitshme. Megjithatë, Finis coronat opus – fundi i suksesshëm stolis veprën.
A e përfillni thënien, Ars longa, Vita brevis (Arti është i gjatë, jeta është e shkurtër)?
Ky aforizëm i lashtë latin është fare i vërtetë. Këtë e ndjej unë tashmë në mendjen time, sepse mungesa e kohës është ajo që më së shumti më mungon. Sado që do të kishim kohë edhe më të gjatë, asgjë nuk do të mund të kryenim me përsosmëri. Përsosmëria mund të jetë arritje vetëm e krijesave të përzgjedhura nga Gjithëkrijuesi i Madh.
Po. I kam disa projekte të mëdha. Tani e botova monografinë time më të re në Bergamo të Italisë “Mehmet Ali Pasha – kapedani shqiptar që ia ktheu dinjitetin Egjiptit”, e cila u vlerësua lart si në vend ashtu dhe në botën arabe. Kam punuar 15 vjet për ta shkruar, mbledhur dëshmi dhe dokumente të tjera shumë të rëndësishme, nga të cilat disa janë fare të panjohura. Është kjo një monografi reprezentative, me format të madh dhe me rreth 250 reproduksione me ngjyra. Kam përfunduar edhe monografinë tjetër, mbi fotografin e parë prishtinas, Rexhep Rakovica, e cila do të botohet po këtë vit. Ndërkaq, besoj se vitin e ardhshëm do të jetë e gatshme për shtyp monografia ime autobiografike, e cila do të pasqyrojë rrugëtimin dhe veprimtarinë time artistike me rastin e 72 vjetorit të lindjes dhe të 52 vjetorit të krijimtarisë sime artistike. /Telegrafi/