Telegrafi

Bujqesia, prioritet i yni

Fjalimi i kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Seminarin Kombëtar për Politikat Bujqësore 2009-2013
Zonja dhe zotërinj,

Bujqësia është sektor i rëndësishëm ekonomik, i cili siguron pjesën më të madhe të punësimit në Kosovën e pasluftës. Zhvillimi i qëndrueshëm rural do të jetë i rëndësishëm për përmirësimin e kualitetit të jetesës përmes promovimit të bujqësisë dhe aktiviteteve tjera ekonomike rurale.

Duke marrë parasysh se rreth 60% e popullsisë së Kosovës jeton në zonat rurale, sektori i bujqësisë luan një rol të rëndësishëm në ofrimin e mundësive për punësim dhe për krijimin e të ardhurave për njerëzit që jetojnë në zonat rurale.

Qeveria e Republikës së Kosovës po harton politika bujqësore për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, të cilat janë plotësisht kompatibile me politikat e integrimeve në BE.

Qeveria e Republikës së Kosovës sektorin e bujqësisë e ka vënë në prioritetet e qeverisjes gjatë mandatit të saj, krahas atyre të arsimit, energjetikës dhe transportit.

Kjo Qeveri, e ka të qartë, se në këtë fazë të tranzicionit, duhet të punohet me përkushtim për arritjen e disa objektivave, të cilat e ofrojnë vendin drejt synimit tonë për t’u bërë anëtar i BE-së.

Qeveria e Republikës së Kosovës në sektorin e bujqësisë po krijon një bazë të mirë ligjore, të harmonizuar me atë të BE-së, e cila është vlerësuar nga vetë Komisioni Evropian në Raportin e fundit të Progresit.

Duke pasur parasysh nevojën e rimëkëmbjes së bujqësisë dhe zhvillimit rural, përkundër kufizimeve buxhetore, jemi përpjekur që këtij sektori t’i jepet prioritet, duke e financuar nga Buxheti i Kosoves, por edhe nga Donatorët.

Gjate këtij viti Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur të fus nën sistemin e ujitjes 5000 hektarë tokë bujqësore përmes rehabilitimit të sistemit të ujitjes dhe krijimit të pendave, vlera e të cilave investime kap shumën prej 450,000 euro nga Buxheti i Kosovës.

Në vitin që sapo e lamë pas, për herë të parë në Kosovë janë implementuar subvencionet, ku Qeveria ka ndarë mbi 500,000 € vetëm për subvencionimin e naftës për fushatën e korrje – shirjes (respektivisht është bërë subvencionimi i naftës 30%). Gjithashtu, përmes shpërndarjes së granteve, janë mbështetur projektet e fermerëve nga sektorë të ndryshëm të bujqësisë, në vlerë prej 520,000 euro.

Për të krijuar një ambient të përshtatshem për zhvillimin e sektorit privat në zonat rurale, Qeveria është duke investuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, konsolidimin e tokës bujqësore, rehabilitimin e sistemit të ujitjes, ngritjen e institucioneve edukative arsimore për bujqësi.

Ndërsa për këte vit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur për 40% buxhetin për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes së cilës synohet rritja e të ardhurave në ferma, përmirësimi i aftësisë konkuruese të ndërmarrjeve agropërpunuese, zëvendësimi i importit me produkte vendore, rritja e eksportit, mbrojtja e shëndetit publik, ripyllëzimi i sipërfaqeve pyjore dhe përmirësimi i jetës në zonat rurale.

Për këto synime Qeveria e Republikës së Kosovës për vitin 2009 ka ndarë 1.8 milion € për rehabilitimin e sistemeve të ujitjës, 2.7 milion € janë ndarë subvencione për ferma bujqësore, 660,000 € janë ndarë për konsolidimin e tokave bujqësore, dhe do të mbështen edhe një varg projektesh tjera.

Produktet bujqësore kosovare, në saje të marrëveshjeve ndërkombëtare për tregti të lirë, mund të eksportohen në tregjet e vendeve të rajonit, por gjithashtu edhe në ato të BE-së.

Përveç kontributit nga Buxheti i Kosovës për të arriturat në sektorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kam kënaqësinë dhe nderin t’i falënderoj edhe donatorët prezentë në Kosovë, të cilët qysh nga faza emergjente janë duke e ndihmuar në vazhdimësi këtë sektor të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik.