Site icon Telegrafi

BUJAR BERISHA dhe “TROJA” që nuk gjunjëzohet

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Rockerët e ndryshuan botën. Ata dëshmuan se artisti nuk është produkt i shkollës, por i shpirtit. Ata e barazuan individin me institucionin, ishin forca shtytëse e ndryshimeve më të mëdha shoqërore të shekullit XX. Ata janë njerëz që mendojnë dhe sakrifikojnë. I tillë është Bujar Berisha i “Trojës”. Lexojeni këtë intervistë, sepse do ta çmoni guximin e idealizmin, dhe frikën do ta leni pas vetes.

Është e gjatë lista e angazhimeve tuaja. Jeni këngëtar, instrumentist, aktor, por jeni edhe kameraman profesionist, skenarist, e edhe filmëbërës. Nga ju vjen vrulli për projektet muzikore?
Mendoj që muzika e ndihmon njeriun të hap diapazonin kreativ. Ndonjëherë në mungesë të kushteve, njeriu duhet të adaptohet me rrethanat dhe të shprehet brenda mundësive ekzistuese. Mua shpeshherë muzika ma jep mundësinë që të shprehi me një thjeshtësi ndjenjat më të thella që, ndoshta, në një fushë tjetër të artit të njëjtat ndjenja do t’i komplikoja në të shprehur.

USHQEJINI ËNDRRAT DHE MBYTNI DOGMAT E INJORANTËVE

Jeni një rocker që i përkisni brezit të viteve 1990. Çfarë është transformuar tek ju në gjithë këto vite?
Unë kam pasur fatin të jem pjesëtar i një brezi ku muzika orkestrohej me instrumente të gjalla. Jam pjesëtar i një brezi ku, edhe pse rreth nesh shembej çdo gjë, me fanatizëm vazhduam të besojmë në vlerat morale universale të njeriut, se muzika rock – ose rock kultura – është dhe duhet të jetë udhërrëfyes dhe një pistë e ndritshme në shpjegimin dhe promovimin e vlerave njerëzore.

Njihesh si person që shkrin mllefin shoqëror në interpretim, diçka që e shohim vetëm tek rockerët e huaj…
T’ju them të drejtën, gjithçka që unë bëj në interpretim, është ajo që unë ndjej përbrenda, pa ndonjë vëmendje që të mundohem të tingëllojë ose të sillem si dikush që kam parë më herët në TV, ose si diçka e tillë.

Thuhet se talenti është diçka që çdokush e ka, por rrethanat mund të ndikojnë që talenti të mos shpërthejë. Në perceptimin tuaj, çka është talenti?
Pajtohem plotësisht që qeniet njerëzore janë mjaft inteligjente, bile mendoj se janë më inteligjente se sa janë të vetëdijshëm. Por, është rrethi dhe forca e vetëdijes që ndikojnë në zhvillimin e personalitetit në fusha të ndryshme, jo vetëm në fushën e artit. P.sh., këtu tek ne ekziston një prirje që njerëzve t’ju mbytet çdo lloj entuziazmi dhe t’ju lihen të hapura vetëm dy dyer – ajo e viktimës ose ajo e kriminelit.
Mendoj që njerëzit duhen ta gjejnë forcën t’i ushqejnë ëndrrat dhe të përmbysin dogmat e barrierat tjera që vendosen nga injorantët.

Në muzikën tuaj është e mundshme të identifikohet realiteti, sa gjuhësor, sa kulturologjik. Kush është në bendin tuaj dhe çka keni dëgjuar derisa keni krijuar identitetin? Cili ka qenë inspirimi juaj kryesor?
Unë mendoj që nëse ekziston diçka e veçantë në muzikën dhe në tekstet që ne kultivojmë, si dhe në qasjen e temave që ne si grup i trajtojmë, atëherë ajo është ndjenja e sinqertë. Inspirimi jonë kryesisht buron nga energjia që reflektojnë njerëzit në mesin e të cilëve edhe ne jetojmë.

PËR DITËN KUR KRIMINELI DHE INJORANTI NUK DUHET TË JENË SHEMBULL POZITIV

Temat e juaja reflektojnë jetën e përditshme, por jo edhe tematikat e dashurisë me të cilat merren – që nga fillesat e rockut në Kosovë – bendet tjera. A do të thotë kjo se përditshmëria është preokupimi juaj?
Në këngët tona mbretëron mjaft dashuri: dashuria për mirëqenien dhe vlerat njerëzore. Besoj që në mungesë të këtyre vlerave, kemi kaq shumë antivlera. Ose, të them më qartë, kemi këngë të dashurisë së dështuar e patetike të cilat në këtë rajon njihen si “balada dashurie”!

Si e shikoni ju demokracinë e përkryer dhe si duhet të duket ajo sipas jush?
Të them të drejtën, as që mund ta paramendoj një demokraci të përkryer. Dëshiroj që të paktën të bëjmë një krahasim me vendet e BE-së e të shohim se ku jemi ne si shqiptarë në vendosjen e standardeve, ku të drejtat e njeriut, mirëqenia, kultura e mirëfilltë, shkenca dhe vlerat tjera njerëzore respektohen ashtu siç duhet.

Kur do të vijë ajo ditë, kur do të ketë demokraci?
Kur njerëzit të vetëdijesohen dhe të vlerësojnë se krimineli dhe injoranti nuk duhet të jenë shembull pozitiv, por shembull negativ i shoqërisë, e aq më pak të lejojnë të udhëhiqen nga ata.

A është (keq)kuptuar demokracia tek ne?
Tek një shtresë jo që është keqkuptuar, por mendoj që është shndërruar në dëshirë për diktaturë!

Si lind kënga juaj: si diçka që shihet, apo si diçka imagjinative?
Kënga lind si perceptim i yni ndaj realitetit në të cilin jetojmë këto 15 vitet e pasluftës. Realitet ky ku vlerat demokratike janë të përdhosura aq shumë sa që qëndrojnë në ranglistë mjaft afër me nivelin pushtues e diktatorial të viteve 1990!

Artistët është vështirë të pajtohen me realitetin, apo jo?
Unë mendoj që jo vetëm artistët, por qytetarët e të gjitha profesioneve duhet të jenë të sinqertë në atë që bëjnë, sepse çdo profesion kërkon artin brenda tij. Në këtë mënyrë do të kontribuonim në ngritjen e vlerave dhe mirëqenies në vendin ku jetojmë.

Arti duhet dhe mund ta ndryshojë botën. A besoni ju në këtë?
Po, arti e ndryshon botën, nëse e marrim parasysh faktin se çdo profesion është art në vete dhe ne japim më të mirën që ato vlera artistike t’i zhvillojmë në çdo fushë të jetës.

GJEMBAT JANË NË MENDJEN E SHUMICËS SË QYTETARËVE

Pse e keni “veshur” këngën “Demokracia” me gjemba? A i duron demokracia gjembat?
E keni fjalën për video-klipin? Ato pamje pasqyrojnë nivelin e demokracisë në vend si dhe tendencat e individëve të caktuar që të instalojnë një sistem autoritar, siç kemi rastin sot në Rusi apo në Turqi.

Kush duhet t’i heq gjembat dhe a hiqen ata?
Demokracinë mund ta sjell vetëm një popull i vetëdijesuar, i cili e ka kuptuar se dija është pasuria më e madhe që mund të ketë njeriu. Tek ne ekzistojnë dy palë rrethoja me gjemba. Janë ata gjembat e lirisë së lëvizjes, ku ne jemi vendi i vetëm në rajon i cili gjendet jashtë liberalizimit të vizave dhe – rrethoja e dytë – pa heqjen e së cilës vështirë se do të mund ta heqim atë të parën. Ajo rrethojë është në mendjen e shumicës së qytetarëve, të cilët ende besojnë në demagogjinë e njëjtë politike që 15 vite. 

Njerëzit shpesh thonë që janë ngopur me tensione dhe konflikte politike. Sa jeni të interesuar për atë që po ndodh në politikë dhe si ju duket skena politike në rajon?
Mendoj që i gjithë rajoni i Ballkanit udhëhiqet nga një klasë politike pak a shumë e nivelit të njëjtë. Shihen qartë tendencat e këtyre politikëbërësve që t’i privatizojnë në interes personal këto shtete të dala nga errësira e një sistemi sundues, gjithnjë duke shfrytëzuar infrastrukturën e trashëguar pushtuese (si propaganda, shantazhi e frika) me qëllim të mbajtjes së pushtetit përgjithmonë. Prandaj, mendoj që në gjithë rajonin e Ballkanit, duke filluar nga ne, duhet të vjen një elitë e re politike e cila ka studiuar në universitetet e vendet me të cilat ne dëshirojmë të kemi një mirëqenie të njëjtë. Pra, na duhet një elitë politike e cila është e njoftuar me standardet e politikëbërjes në vendet e BE-së dhe të vendeve tjera me përvoja demokratike.

Kë e keni pasur si model gjatë tërë karrierës suaj muzikore? A keni akoma dikë që është model për ju?
Unë i përkas një gjenerate e cila ka dëgjuar dhe është inspiruar nga shumë artistë botërorë, si: John Lennon, Frank Zappa, Led Zeppelin, Pink Floyd, AC/DC, Iron Maiden etj. të cilët kanë lënë një shenjë në historinë e kulturës botërore e cila njihet si “Epoka e Artë” në muzikë.

PROFITERËT E LUFTËS SHPËRLANË TRURIN E TË RINJVE

Shpesh artistët janë të detyruar që për shkak të mbijetesës materiale të punojnë diçka që nuk u pëlqen. Sa jeni përballur ju me imponimet e vlerave të tilla në profesionin e këngëtarit?
Mendoj që njeriu duhet të jetë këmbëngulës në ëndrrat e tij. Është një thënie popullore që unë e përsëris shpesh dhe e cila thotë: “Zoti askujt nuk i mbetet borxh asnjëherë”! Prandaj, jam i bindur se çdo punë një ditë do të shpaguhet, si për të mirë ashtu edhe për të keq. Varet nga qëllimi.

Si duket sot “populli i ndezur” për turbo-folk e ka shndërruar realitetin shoqërorë në turbo-politikë…
Mendoj që turbo-folku është produkt i cili ka lindur gjatë luftërave në ish-Jugosllavi e i cili është financuar nga profiterët e luftës më qëllim që t’ju shpërlahet truri të rinjve. Por, më habit fakti që edhe 15 vite pas përfundimit të këtyre luftërave, këtu tek ne është mjaft prezent dhe në pikën më të lartë të popullaritetit. Për këtë fenomen mund të jepet vetëm një shpjegim: shihet mirë në interes të kujt është që të mos ketë ngritje të vetëdijes kulturore. Nëse kemi një ngritje të vetëdijes kulturore, nuk besoj që ende do të votohej një klasë e tillë politike.

A mundet rockeri të jetojë në ndonjë realitet paralel? Natyrisht, nuk mund të qëndrosh imun ndaj rrethanave, mirëpo a qëndron teoria që rocku është mënyra më e mirë që të mbeteni djalosh i përhershëm?
Është vështirë të injorosh gjithë realitetin që ekziston rreth teje. Është vështirë gjithashtu ta ndërrosh atë realitet brenda një kohe të shkurtër, e me të cilin nuk jeni aspak i kënaqur. Në mes të këtyre të dyjave, mendoj që njeriu të paktën ia vlen të japë kontributin e tij në ndërrimin ose përmirësimin e këtij realiteti. Ekziston një fakt i dhimbshëm që ne, një ditë, fizikisht do të vdesim, andaj mendoj që ia vlen të lihet si trashëgim diçka e sinqertë për gjeneratat që vijnë, diçka që pasqyron realitetin në të cilin ne një ditë kemi jetuar. Edhe pse paralelisht vërehet tendenca e një mentaliteti tjetër për manipulim të historisë dhe krijim të gjigantëve historikë e patetikë, siç ka qenë në kohën e analfabetizmit, këta “Titanë të Historisë” po harrojnë se ne jetojmë sot në një epokë me rrethana e pajisje krejt tjera të cilat regjistrojnë historinë 24 orë pandërprerë në të gjitha sferat e jetës.

A ekziston diçka që ju tmerron, diçka që ju hidhëron? A dënoni dikë apo diçka? Keni dikë që e adhuroni?
Jo, s’kam idhuj. Ka njerëz intelektualë që i respektoj dhe mburrem me ekzistencën e punën e tyre dhe, ka njerëz që më dhimbsen për mënyrën se si mendojnë dhe si veprojnë. Më dhimbset e ardhmja e tyre e hidhur, gjithmonë duke u bazuar në atë thënien se “Zoti askujt nuk i mbetet…”! 

ARTISTËT, MEGJITHATË DO TË MBIJETOJNË

Një numër i konsiderueshëm i muzikantëve pas kalimit të disa viteve në podiume ngadalë “zbehen” dhe zvogëlojnë ritmin. A mendon që muzika akustike (me interpretim live) mund të prezantohet më qartë dhe të pasqyrojë disa emocione të cilat pasurohen edhe nëpërmjet vargjeve?
Unë mendoj që vet procesi natyror i zhvillimit të njeriut shkon prej një dinamike e një energjie eksploduese e që vazhdon, duke u ngadalësuar e zbehur deri tek ndalja e përhershme, duke ia lëshuar vendin energjive e gjeneratave të reja. Prej këtij këndi ku ndodhem tani, mund të vlerësoj se jo çdo mjet që krijon zhurmë më shumë, prodhon edhe energji më shumë. Andaj, pajtohem që me anë të muzikës akustike mund të krijohet njësoj ose më shumë energji dhe emocion sesa me muzikë elektrike. Por, gjithashtu është i vërtetë fakti se muzika akustike kërkon më shumë përkushtim sesa muzika elektronike.

Artistët konsiderohen si njerëz krenarë, apo që zakonisht janë të buzëqeshur dhe të gëzueshëm. A ju kujtohet ndonjë situatë specifike apo ndonjë batutë…?
Varet prej artistëve. Unë mendoj që shumica e artistëve e sakrifikojnë vetveten për të thyer tabutë dhe dogmat të cilat i shohin si pengesë e zhvillimit dhe evoluimit të intelektit njerëzor. Ndoshta është mu ky fakt i cili i bënë krenarë. Pse janë të buzëqeshur, nuk e di, por mendoj se fakti se asnjë diktator në botë nuk ka mundur ta ndal një evoluim të tillë intelektual i bën këta vetësakrifikues të ndihen fitimtarë dhe t’i buzëqeshin fitores së pashmangshme të cilën kurdo njerëzimi do ta përjetojë.

Si e shihni të ardhmen? Edhe sa do të keni energji të qëndroni në muzikën e rockut?
Të them të drejtën, jam mjaft optimist sa i përket zhvillimit tonë kulturor, duke u bazuar në faktin se ne si shoqëri kemi arritur pikën e fundit në këtë fushë ku thuhet se “më poshtë nuk ka ku shkon”. Prandaj, besoj që çdo zhvillim në të ardhmen do të jetë kthesë pozitive në aspektin kulturor. Pa një ngritje të vetëdijes së përgjithshme kulturore, qëllimet tona si shoqëri do të mbeten vetëm ëndrra larg realitetit të një bote në të cilën dëshirojmë të integrohemi. Ne, si grup, do të mundohemi që edhe energjinë e fundit që kemi ta vëmë në shërbim të vetëdijesimit të qytetarëve, me qëllim që një ditë të kemi një nivel të tillë kulturor i cili do ishte në të njëjtin nivel me shoqëritë të cilat dëshirojmë të integrohemi.

Dhe, për fund, çka mund të presin nga “Troja”?
Ne jemi duke e përgatitur një plan se si dhe ku do t’i mbajmë koncertet. Në këtë kohë jemi në fazën e miksimit të albumit tonë më të ri i cili pritet të dalë gjatë muajit shtator. /Telegrafi/
 

Exit mobile version