Telegrafi

BSPK: Gjendja e minatorëve vazhdon të mbetet e rëndë

Me 20 Shkurt mbushën plot 20 vjet të Grevës më të madhe në historinë e grevave te Minatorëve në Botë. Greve e cila hyri në historinë më të re të Kosovës, e cila në atë kohë bëri një kthese në tërë progresin Kombëtar. Greva e vitit 1989 ishte shkallëzim vazhdimësi e progresive të mëhershme të popullit të Kosovës, për një jete më të mirë. Ditët prej 20 deri me 28 shkurt ishin ditët e rezistencës dhe sakrificës, vetëflijimit dhe solidaritetit të Minatorëve dhe Popullit të Kosovës. Në realitet Greva e vitit 1989, ishte një arsyeshmëri e domosdoshme e vazhdimit të proceseve politike të popullit Shqiptar.

Gjersa një pjese e politikës luftonte për poste dhe fotele në dyert e Serbisë, Minatorët e kuptuan nevojën e unitetit dhe bashkimit për mbrojtjen e interesave më madhore të kombit e të Kosovës. Dhe vërtet patën të drejtë. Vizioni i tyre i kjartë dhe i sinqertë, i pastër si kristale e kësaj nëntoke u vërtetua disa herë me vonë, ngase, Minatorët jo vetëm se dinë te nxjerrin xehe, dhe kristale të bukura, ata dinë të vlerësojnë edhe rrjedhat dhe proceset politike me shumë largpamësi.

Në kohën e vlimeve të mëdha politike dhe ekonomike, të vetëdijshëm me synime kombëtare 1300 Minatorë te “TREPQES” në minierën e Stantergut, me 20 Shkurt të vitit 1989 në ora 13:00 u barrikaduan në horizontet e Minierës, në vendet e tyre të punës, për ti thëne jo diskriminimit.

Me të dëgjuar për këtë veprim politik në horizontet e tokës u ngujuan edhe 5000 Minatorë të Minierave të Kosovës, Kizhnicë, Artanë, Babush, Golesh, Volljakë, Devë, Strezoc, Karaqevë dhe shumë punëtorë të tjerë në Kosovë. Ishin Minatorët ata të cilët ndezën kandilat në nëntoke për ti parë padrejtësitë në sipërfaqe, dhe pikërisht për ketë me ta u solidarizuan punëtoret, studentët, rinia, nxënësit dhe i tërë populli Shqiptar.

/Letra është shkruar nga Kryesia e BSPK-së me rastin e 20 vjetorit të Grevës së madhe të Minatorëve të Kosovës/

U mbyllën në thellësi të nëntokës për t’ia ndalur hovin klaneve të ish Jugosllavisë për Kosovën. Vendosën të mbesin aty deri në vdekje. Drama për jete a vdekje vazhdojë deri me 28 shkurt, kur minatorët ndërprenë grevën e tyre, të tradhtuar me vulën shtetërore të dhunës se ishin plotësuar kërkesat e tyre. Me vonë pasuan masat ndëshkuese nga Serbia, ku të gjithë Minatorët u larguan me dhunë nga puna, gjithashtu 3883 Minatorë u burgosen prej 30 ditëve deri në 14 muaj.

Pavarësisht prej gjendjes së krijuar në atë kohe, është me rendësi të veçohet se filluan lëvizjet e shumta politike dhe kombëtare të cilat u kurorëzuan me rezistencat ushtarake, ku lindi dhe UCK-ja, ku shumë Minatorë u bashkëngjiten në radhët e UCK-së që 148 Minatorë ranë dëshmorë në altarin e lirisë. Me tu përfunduar lufta, Minatorët shprehën gatishmërinë tu kthehen minierave për të krijuar të mira materiale për familjet e tyre dhe Kosovën, por ato i gjetën të shkatërruara, por qe tani ka shpresa që gjithçka ka filluar.

Me gjithë këto përpjekje gjendja ekonomiko-sociale dhe shëndetësore e Minatorëve është shumë e rendë dhe brengosëse. Minatorë të nderuar urime festa e juaj – Ditët e Grevës së madhe të Minatorëve të Kosovës. Shpresojmë që historia dhe gjeneratat e reja do ta thonë fjalën e vet, dhe emrin Minatorë do ta shkruajnë me shkronja të arta.