Bruno Fernandes ka adresuar të ardhmen e trajnerit Erik Ten Hag menjëherë pasi Manchester United fitoi finalen e FA Cup.
United prodhoi një ndeshje perfekte në aspektin taktik në ‘Ëembley’, duke mposhtur kampionin në fuqi Manchester City me rezultat 2-1 falë golave të shënuar nga Alejandro Garnacho dhe Kobbie Mainoo.
Goli i vonshëm i Jeremy Doku nuk ishte i mjaftueshëm për ‘Qytetarët’, dhe ‘Djajtë e Kuq’ arritën që të minimizojnë rrezikun nga Manchester City për 90 minuta.
Kjo fitore vjen mes spekulimeve për të ardhmen e Ten Hag, me The Guardian që kishte raportuar të premten se United do ta shkarkojë atë menjëherë pas finales.
‘Djajtë e Kuq’ ishin ballafaquar me një skenar të njëjtë edhe më herët, pasi ata kishin ndarë rrugët me Louis Van Gaal menjëherë pasi ai fitoi FA Cup në vitin 2016.
Pas ndeshjes, Fernandes u pyet në lidhje me të ardhmen e Ten Hagut dhe portugezi dha një përgjigje mjaft diplomatike.
“Ai ka bërë gjithçka mirë sot. Ai e përgatit çdo ndeshje shumë mirë. Ndonjëherë funksionon, ndonjëherë jo”.
“Sot kishte të bëjë me atë që të ishim kompakt dhe të ushtrojmë presion mes linjave, të tregojmë pak zemër dhe pasion”.
“Ne vetëm duam të festojmë. Duam ta shijojmë këtë moment, së bashku me tifozët dhe stafin, duke përfshirë edhe trajnerin, ne e meritojmë këtë”.
“E ardhmja e Ten Hag nuk më takon mua që të vendos. Unë jam vetëm një lojtar i futbollit”, përfundoi Fernandes./Telegrafi/