Por pavarësisht kësaj, sipas statistikave dhe të dhënave të dala nga OMGJ është vërejtur një dyfishim i të rinjve që mendojnë ta gjejnë zgjidhjen në mënyra të tilla. Të rinj që kanë probleme me punën, që duan të realizojnë projekte të rëndësishme për jetën, të martohen apo të bëjnë fëmijë, por edhe adoleshentë problematikë ose fëmijë që nuk ecin mirë në shkollë, janë këto identitetet e atyre që gjithmonë e më shumë po krijojnë varësi ndaj këtyre barërave.
Në fakt, shifrat janë alarmante. Psikiatrit dhe psikologët shpjegojnë se kjo dukuri është e lidhur me shumë faktorë kompleksë.
"Dikur antidepresivët jepeshin vetëm atëherë kur flitej për një rast të rëndë, ndërsa në kohët e sotme ata këshillohen për gjithçka, që nga ankthi, te problemet me ushqimin, sjelljen, te strategjitë për të lënë duhanin pavarësisht se studimet e këtij shekulli arrijnë të gjithë në të njëjtin përfundim, ku përveçse në rastet e rënda ku është i domosdoshëm përdorimi i tyre, për të tjerët është më shumë efikase sesa trajtimi me antidepresiv i një terapie psikologjike ose sjelljeje".
Melankolikë, depresivë apo viktima të një sjelljeje çfarëdo shumë shpesh të rinjtë drejtohen drejt mjekut të familjes, i cili duke mos qenë ekspert në këtë fushë u këshillon ilaçe të kësaj kategorie pa marrë parasysh rrezikun që mund të shfaqin. Është e vërtetë, shpjegojnë psikiatrit që për të kuruar një njeri që vuan nga shqetësime mendore duhen ndërhyrje komplekse, por më parë veprohet me rrugë të tjera, shqyrtohet situata në tërësi dhe pastaj hartohet një strategji veprimi.
Për shembull, në Britaninë e madhe ku situata është vërtet shqetësuese, mjekët po mendojnë të veprojnë kështu: janë parashikuar financime për të vlerësuar programe për konsultim elektronik, meqenëse një njeri në katër të tillë që vuan nga depresioni i drejtohet një specialisti.
Por jo vetëm kaq, në korrikun e vitit të kaluar, Parlamenti aprovoi një numër masash për të përmirësuar asistencën dhe mbrojtur minorenët nga çdo formë e kërcënimit farmakologjik. Rasti i Anglisë tregon se të vazhdosh me një metodë shkencore që mund të jetë një metodë më efikase duke i mbrojtur pacientët edhe nga rreziqet. Sepse në të vërtetë rreziqet ekzistojnë.
Vetëm disa javë më parë në "New England Journal of Medicine" u publikua një raport ku thuhej se sipas një raporti të OBSH se është rritur numri i vetëvrasjeve mes të rinjve nën moshën 24-vjeçare. Po ashtu, aty thuhej se rreziku i deformimeve të fetusit është shumë i madh te gratë shtatzëna që përdorin antidepresivë në tremujorin e parë të shtatzënisë. Ajo që e rëndon më shumë situatën është edhe koha dhe doza që të rinjtë përdorin.
Zakonisht, një kurë me antidepresivë kërkon të paktën 20 ditë dhe ka efekte të kënaqshme nëse zgjat për disa muaj. Por sipas të dhënave, rreth 50 për qind e të sëmurëve e ndërpresin mjekimin brenda 90 ditëve dhe më shumë se 70 për qind e tyre në muajt e parë.
Vrasësi i panjohur
Askush deri më tani nuk ka mundur t‘i japë përgjigje pyetjes se përse vërehet një rritje shumë e madhe mes të rinjve antidepresivë që janë në mjekim të vazhdueshëm në vend që të ndodhë e kundërta? Në shumë vende të botës është bërë e detyrueshme që kompanitë që prodhojnë këto lloj ilaçesh të vendosin fletushka të cilat lajmërojnë se rreziku më i madh për vetëvrasje mes atyre që përdorin SSRI është nga mosha 18 deri në 24 vjeç. Kjo masë u mor pas studimit të kryer në 100 mijë njerëz që vuanin nga depresioni në të gjithë botën, sipas të cilëve, numri më i madh i vetëvrasjeve ishte mes atyre që përdornin mjekim.
Lajmërimi bëri që të kishte një ndryshim për sa i përket konsumit të paktën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu, në fillim të vitit 2005 SSRI-të përfaqësonin 75 për qind të ilaçeve që përdornin të rinjtë nën moshën 18 vjeç, ndërsa një vit më vonë kjo shifër shkoi në 57.9 për qind. Në fakt, edhe pse nuk është ende e qartë mbi mekanizmat që i shtynin të rinjtë drejt vetëvrasjes – sipas disave bëhet fjalë për një zhbllokim që manifestohej me acarim dhe hiperaktivitet në javët e para të përdorimit – mjekët kanë menduar që të jenë të kujdesshëm duke dhënë menjëherë alarmin.
Atëherë kush është vrasësi i vërtetë? – pyet me të drejtë një psikiatër kanadez në revistën "British Medical Journal", ilaçi apo depresioni i patrajtuar për shkak të frikërave që sa vijnë e thellohen? Një pyetje të cilës nuk është e lehtë t‘i përgjigjesh. Kjo për faktin se një tjetër studim i publikuar mbi veteranët amerikanë, në 225 mijë pacientë të kuruar për depresion mes 2003 e 2005 me SSRI, rreziku i vetëvrasjes është zvogëluar në të gjitha moshat me rreth 2 të tretat në krahasim me pacientët që nuk ishin kuruar.
Në depresion dhe të braktisur
Rreth 70 për qind e njerëzve që vuajnë nga shqetësimet mendore nuk marrin kurat e nevojshme. 5-9 për qind e popullsisë amerikane vuan nga depresioni i formës së rëndë, 3 për qind nga depresioni i shkallës së fundit dhe rreth 13 për qind nga shqetësime të vogla mendore.
Fenomeni është kudo njëlloj. Pasojat janë të rënda, edhe pse depresioni rrit rrezikun e vetëvrasjeve, aksidenteve, sëmundjeve kardiovaskulare dhe iktusit. Por ajo që është më shqetësuesja është se pjesa më e madhe e pacientëve kërkojnë ndihmë nga mjekët e familjes, të cilët duke mos e ditur diagnozën e qartë i japin antidepresivë. Por përmirësimi i shëndetit mendor mund të arrihet vetëm nëse shikohet me kujdes nëse terapia çon në përmirësimin e gjendjes apo që pacienti duhet të trajtohet në klinika të specializuara psikiatrike.
Studimet e OBSH-së, në 37 raporte ndërkombëtare tregojnë se 56 për qind e personave që vuajnë nga depresioni nuk janë diagnostikuar dhe nuk marrin asnjë mjekim. /shqip/