Presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit (CBF) Ednaldo Rodrigues tha të martën se është i gatshëm të presë deri në maj përgjigjen e trajnerit italian Carlo Ancelotti, të cilin dëshiron ta shohë në postin e përzgjedhësit të pesë herë kampionëve të botës.
Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të CBF-së, Rodrigues u shpjegoi gazetarëve se shpreson të jetë në gjendje të shpallë emrin e trajnerit të ri deri më 25 maj, ditën e publikimit të listës së lojtarëve që do të luajnë ndeshje miqësore në qershor.
“Para se të mendoj për planin B, dua të shteroj të gjitha mundësitë e planit A”, ka thënë Rodrigues.
Ai nuk e ka fshehur kurrë se Ancelotti, i cili aktualisht është nën kontratë me Real Madridin, ishte zgjedhja e tij e parë.
Trajneri italian konfirmoi më 1 prill se CBF dëshironte ta bënte atë pasardhësin e Tite, i cili dha dorëheqjen pasi u eliminua në çerekfinale të Kupës së Botës 2022 në Katar. /Telegrafi/