Telegrafi

Brazili fiton ndaj Kolumbisë dhe siguron kualifikimin në Kupën e Botës

Kombëtarja e Brazilit ka siguruar kualifikimin në Kupën e Botës “Katar 2022” pas fitores minimale 1-0 në shtëpi ndaj Kolumbisë.

Selecao ka vazhduar paraqitjet brilante në ndeshjet kualifikuese të Amerikës së Jugut, duke siguruar kualifikimin pa asnjë humbje nga 12 ndeshje (11 fitore, 1 barazim).

Ekipi i Tites kësaj radhe mposhti Kolumbinë në një ndeshje të fortë dhe shumë të luftuar të zhvilluar në ‘Neo Quimica Arena’ të Sao Paulos.

Pjesa e parë i takoi për një nuancë vendasve, të cilët ishin më të mirë, teksa pati edhe shumë ndërhyrje, ku gjyqtari shpërndau katër kartonë të verdhë.

Megjithatë, rrjetat mbeten të paprekura dhe ekipet shkuan në pushim pa gola, duke synuar fitoren në pjesën e dytë.

Në pjesën e dytë, përsëri u zhvillua lojë e luftuar, e ashpër kohë pas kohe, me Brazilin skuadër më të mirë dhe me vetëm një gol të shënuar.

Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 72-të me anë të Lucas Paqueta, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Neymar dhe ky doli të ishte rezultat përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Brazili e sheh veten në pozitën e parë me 34 pikë apo nëntë më shumë se Argjentina e dyta, me të cilën takohet pas pesë ditësh.

Kolumbia zë vendin e pestë me 16 pikë dhe ndeshjen e radhës e luan ndaj Paraguait. /Telegrafi/