Telegrafi

Bottas thotë se është herët të flitet për rinovimin me Merecedesin

Valtteri Bottas po bën një paraqitje mjaft të mirë me Mercedesin në këtë Botëror të Formula 1, aq sa kanë nisur të qarkullojnë zërat për nisjen e bisedimeve mes tij dhe skuderisë gjermane për rinovimin e kontratës.

Bottas, i cili e zëvendësoi Nico Rosbergun te Mercedesi, firmosi me skuderinë gjermane një kontratë që mbyllet pikërisht në fund të sezonit, me idenë që në vitin 2018 të zëvendësohet nga Vettel apo Fernando Alonso.

Por, së fundmi po qarkullojnë zëra që flasin për rinovimin e finlandezit, të cilat ai i frenon në këtë moment, transmeton TCH.

“Sigurisht që shpresoj të qëndroj te Mercedesi. Por është ende herët për të folur për këtë çështje. Ajo që po mendoj është të bëj një punë të mirë në këtë skuderi garë pas gare. Nëse do të paraqitem mirë, atëherë gjërat do të bëhen më të lehta”, ka thënë 27-vjeçari për Sky Italia.

Bottas në këtë sezon të Formula 1 ndodhet në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme për pilotë, me 93 pikë, pas Sebastian Vettel e Lewis Hamilton, që mbajnë dy vendet e para, respektivisht me 141 e 129 pikë.