Valtteri Bottas me Mercedes ka siguruar “pole position” në pistën e Barcelonws, e vlefshme për garën e Çmimit të Madh të Spanjës në Formula 1.
Një paraqitje e shkëlqyer e pilotit finlandez, që konfirmon momentin e mirë që po kalon këtë sezon. Kryesuesi i Botërorit dha kohën 1’15”406, kohë rekord e kësaj piste, i pakapshëm nga rivalët, transmeton TeleSport.
Në vendin e dytë u rendit Lewis Hamilton me makinën tjetër Mercedes, por ajo që ra në sy ishte diferenca e madhe që Bottas kishte me britanikun, gjashtë të dhjetat. Finlandezi bëri një xhiro të shpejtë të jashtëzakonshme, duke befasuar të gjithë dhe korri “pole postion” të tretë sezonal, i nënti në karrierën e tij.
Në vendin e tretë u rendit Sebastian Vettel me Ferrari (tetë të dhjetat më shumë), që la pas Max Verstappen me Red Bull (gati një sekondë më i avashtë). Ndërsa piloti tjetër i “kokëkuqes”, Charles Leclerc, u rendit në vendin e pestë, me gati +1.2 sekonda më shumë.
Pra, duket se edhe në Barcelonë do të jetë Mercedes që do të bëjë ligjin, pasi Ferrari e Red Bull do të duelojnë thjesht për vendin e tretë në podium.
Gara do të zhvillohet ditën e diel, me start në orën 15:10, gara e pestë sezonale e Botërorit të Formula 1.