Site icon Telegrafi

Bosët e Manchester Cityt kanë arritur ta blejnë klubin e famshëm italian Palermo

Pronarët e Manchester Cityt blenë 80 për qind të aksioneve të klubit të famshëm italian Palermo, duke rritur kështu numrin e skuadrave që zotërojnë.

Klubi nga Sicilia u rikthye në Serie B vetëm pak ditë më parë, pas tre viteve të kaluara në rangun e tretë dhe të katërt të futbollit italian.

Herën e fundit që ata luajtën në Serie A ishte në sezonin 2016/17, dhe më pas ata përjetuan një kolaps financiar që i detyroi ata të fillonin nga e para.

Përveç rikthimit në Serie B, Palermo ka marrë edhe një lajm të mirë, për shkak të të cilit ndoshta nuk do të shqetësohet për financat për një kohë të gjatë.

Gazetarët italianë pretendojnë se City Football Group e bleu Palermon për 10 milionë euro plus 2 milionë euro bonuse.

Presidenti i klubit, Dario Mirri ka ruajtur 20 për qind të pronësisë së klubit dhe duhet të mbetet në krye të Palermos.

Kujtojmë, bosët e Emirateve të Bashkuara Arabe në rrjetin e tyre të klubeve përveç Man Cityt dhe Palermos kanë edhe Melbourne City (Australi), Neë York City (SHBA), Yokohama (Japoni), Montevideo City (Uruguay), Girona (Spanjë), Lommel (Belgjikë). /Telegrafi/

Exit mobile version