Asnjëri prej tyre nuk ka prishur reputacionin e luftëtarit. Fury është i pamposhtur dhe ka disa avantazhe përfshirë gjatësinë dhe dinamizmin. Por testet më të mëdha të tij deri tash kanë qenë kundër katërdhjetëvjeçarëve të nivelit mesatarë si Martin Rogan, Kevin Johnson dhe Steve Cunningham.
Haye, në anën tjetër, di shumë për përballjet me rivalë të peshave të mesme, pasi ka punuar fuqishëm për vite për të dominuat në këtë kategori.
Kur doli më vonë në kategorinë e rëndë ai pati mposhtur Nikolai Valuev, shpartalloi John Ruiz dhe Audley Harrison. Më pas ai bëri një hap prapa duke u mposhtur nga Wladimir Klitschko para se të rikthehet kah fitoret vitin e kaluar kur doli fitues ndaj Dereck Chisora.
Të enjten dyshja konfirmuan përplasjen gjatë një konference shtypi, duke treguar edhe formën e tyre, së paku atë “gojore”. Ishte Haye ai që fillimisht provokoi.
“Ai ka thënë se është më i miri i të gjitha kohërave, më i miri që do të jetë, që është një deklaratë e trashë. Unë jam i lumtur që i jap atij shans dhe po ashtu i jap një pagë të mirë. Deri në këtë pikë, ai nuk i ka pasur ato”.
“Unë besoj se ky do të jetë rasti i tij i fundit të shijojë kohë të mëdha dhe cila mund të jetë mënyra e mirë për ta uruar atë që arritur deri këtu, se sa t’i jap atij një pagë të mirë dhe ta lejoj të lundrojë drejt perëndimit”, ka qenë reagimi i parë i Haye.
Me të njëjtin stil ka komentuar edhe Tyson Fury, i cili është munduar madje ta tallë Hayen.
“Tash, le të mos i bëjmë konfuze gjërat, David. Unë jam ai që të jap ty një shans. Ti je qeni dhe unë po ta hedh ty një kockë”.
“Unë po të jap ty një shans ashtu që ti të mund të bësh famë se përpiqesh të mposhtësh Tyson Furyn. Nuk është e kundërta. Unë jam një i ri që po del në dritë. Jam ai që është në gojën e çdokujt”, ka thënë ai.
Deklarata e Furyt ka nxitur edhe një herë reagimin e Haye. “Sa më shumë që ai flet, aq më e shkurtër do të jetë përballja. Fury flet për meçet në llogore, por është vështirë ta bësh këtë kur t’i je në shënjestrën e një snajperi”, ka qenë replika e Haye.
Siç duket, lufta tashmë ka filluar, edhe pse fillimisht me fjalë. Fansat e boksit, jo vetëm ata britanikë, mezi presin 28 shtatorin kur fjalët do të shndërrohen në grushte.
Nëse jeni përcjellës të boksit, kush mendoni se ka gjasa më të mëdha të fitojë. Jepni parashikimin tuaj në hapësirën për komente. /Telegrafi/