U bënë vite tashmë që ai nuk është pjesë e Top Albania, ama zëri i tij vijon të shoqërojë gjithë transmetimet në radio me ‘xhingla-t’, të cilat sapo i dëgjojmë, fillojmë e i përsërisim përmendësh.
“Unë nuk kam insistuar që zëri im mos të jetë më. Për mua është kënaqësi që radio ende ruan zërin tim” – shprehet artisti Bojken Lako, në këtë intervistë dedikuar pasionit të tij, radios!
Bojken, u bënë thuajse dy dekada që jeni në botën e artit. E ktheni ndonjëherë kokën pas? Si i kujtoni fillimet tuaja?
Njeriu ndonjëherë duhet të shohë nga e kaluara, për të përmirësuar të ardhmen. Sa i përket kujtimeve, pjesën e kaluar të asaj çka kam bërë në art, mundohem ta mbaj sa më pak vëmendjen, sepse ka gjëra që nuk më pëlqejnë. Ka gjëra që më pëlqejnë, por nuk dua të ngelem aty!
Ju e keni nisur me muzikën apo me radion?
Unë kam studiuar muzikë që në shkollë fillore, ashtu siç kanë studiuar shumë të tjerë ne atë kohë, për piano klasike. Kur nisa Liceun Artistik në ’89, e kuptova që nuk kisha shumë lidhje për të vazhduar atë rrugën pianistike, koncertore, klasike, pasi ajo është një rrugë e veçantë e cila nuk përshtatej” shumë me natyrën time. Kështu në periudhën e Liceut krijova një grup modern pop-rock. Me pas ndoqa studimet për regji teatri, duke bërë paralelisht muzikë. Ishin vitet ’98, pas përfundimit të shkollës, ku unë u bëra pjesë e radios, në Radio Klan dhe më pas në Top Albania Radio, ku pasi e provova më pëlqeu dhe mbeta aty le të themi.
Radio ka qenë pasion apo rastësi?
Nuk është rastësi pasi unë kisha dëshirë ta bëja. Kam filluar në Radio Klan, duke bërë një program të cilin e kisha pasion, për tre orë propozoja muzikën time të preferuar, të cilën e shpërndaja përmes valëve të radios dhe komentoja atë informacion jo rutinë, por që ka lidhje me detaje të artistit dhe të asaj që unë
dija mbi krijimet. Nuk ishte rastësi pasi unë kisha dëshirë ta bëja. Me ndryshimin e strukturës së radios, fillova të jem më profesional, për të mësuar çfarë duhej apo nuk duhej, duke dëgjuar si ishin radiot ndërkombëtare për ta përshtatur më pas me publikun shqiptar.
Zëri juaj vijon të jetë pjesë e Top Albania Radio. Çfarë ndjesie ju jep? Çfarë domethënie ka kjo për ju?
Të kesh zërin pjesë të radiove, si një element i jetës së përditshme i të gjithë njerëzve që dëgjojnë radio dhe që e njohin atë zë, padyshim është një kënaqësi e madhe. Edhe pse jam shkëputur nga puna konkrete në këto institucione prej vitesh, prapë nuk kam insistuar që zëri im mos të jetë. Është një ndjesi e bukur që njerëzit ende vazhdojnë të dëgjojnë zërin tim, ashtu siç ndihem mirë që njerëzit që janë në radio ende ruajnë zërin tim, pavarësisht që unë nuk punoj më aty.
Kur ju erdhi oferta për t’u rikthyer në radio nga +2-shi, çfarë menduat? E patë vetëm si punën tuaj të radhës, apo edhe një thirrje tek një dashuri e fortë e juaja?
Unë nuk i kam këto fjalët, dashuri e madhe e fortë dhe nuk mendoj që radio nuk vdes kurrë, nuk i besoj. Por, magjia e radios është kjo: ti në qoftë se dëgjon mesazhin dhe mënyrën se si dikush prezanton diçka, e merr. Në të kundërt duke ecur me makinë apo duke pasur kufjet, ti thjesht e ndërron frekuencën apo e mban nëse është ajo që ti pëlqen. Kjo ishte dhe arsyeja që unë vendosa ta pranoj ftesën e +2-shit, pasi njerëzit gjithmonë e kërkojnë radion. Unë aty bëj një program të përditshëm, nga ora 08:00-10:00, ku sugjeroj muzikë, jo të shijeve të mia, por përmbledh këngë që ekzistojnë në tregun britanik dhe pak të dëgjuara këtu. Në radiot e tjera, kryesisht transmetohen këngë që qarkullojnë në Billboard-in amerikan, ndërsa në programin që unë bëj është një kërkim i këngëve të cilat janë komerciale, por në tregun britanik. Janë prurje të artistëve nga Anglia, Kanadaja, Australia, Zelanda e re, të cilët e kanë shumë të vështirë të depërtojnë në tregun amerikan, për shkak të strukturës.
Ftesën e +2-shit e mendova si mënyrë për t’i përcjellë publikut këto stile që e di që ekzistojnë dhe njerëzit do t’i pëlqejnë. Për mua radio është një hallkë shumë e rëndësishme e promovimit të muzikës. Edhe nëse do të kishim një radio që promovonte vetëm muzikë shqiptare, është një gjë shumë e rëndësishme, pavarësisht se peshën më të madhe e kanë revistat, kopertinat, televizioni, portalet apo zhurma e rrjeteve sociale.
Po të shikojmë radiot jashtë vendit, roli i tyre është më i madh, ku këngëtarët ftohen dhe performojnë live, ose rasti i BBC, e cila ka dhe një kanal televiziv të vetin. Unë jam munduar të kopjoj një program të BBC, i cili quhet “Live Lounge”, që sjell për të performuar ‘live’ artistët më komercialë, qoftë dhe Rihanna, për të luajtur një version akustik ose jo të këngës së tyre.
Tashmë që jeni sërish pas mikrofonit të radios, si e shihni rolin e radios, është zbehur, apo ende ka kërshëri nga njerëzit për ta ndjekur atë?
Radio ka një sekret: është më komunikative, më e rehatshme në komunikim. Njeriu nuk është se duhet të rehatohet shumë në kolltuk dhe të kryejë një ritual që është pak i bezdisshëm, i cili të kushtëzon të hapësh televizorin. Radio është shumë shoqëruese, është një frekuencë që dikush e lëshon, e ti nëse do e kap, nëse nuk do e lë. Thjesht me një buton. Mënyra se si radio është zhvilluar, është sofistikuar dhe ajo çka tregon tregu është që nuk është vjetruar.
“Bordo”